Presidenti kinez vizitë në Greqi, mediat greke: Investimi më i madh i Pekinit në vend

schedule11:44 - 12 Nëntor, 2019

schedule 11:44 - 12 Nëntor, 2019

Janë 16 marrëveshjet e firmosura nga presidenti i Kinës Xi Jinping dhe kryeministri grek Micotaqis. Lideri kinez vizitoi portin e Pireut, ku Pekini synon një investim prej 600 milion eurosh, që përbën investimin më të madh kinez në vend.

Vizita në portin e Pireut e presidentit kinez Xi Jingping dhe kryeministrit grek Micotaqis, vë në qendër të vëmendjes investimin më të madh të Pekinit në Greqi. Në planet e Kosko, kompanisë shtetërore, janë 600 milion euro investime.

Analistët grekë saktësojnë se Kina ka investuar në port kur pak vende të tjera merrnin në konsideratë investime direkte në infrastrukturat e vendit. Pireu është aktualisht porti më i madh në Mesdhe dhe objektivi përfundimtar është transformimi i tij në portin më të madh të Europës.

I pritur nga presidenti grek Pavlopulos, lideri kinez nisi kështu vizitën tre ditore, e cila synon përforcimin e marrëdhënieve dy palëshe në prag të zhvillimit të rrugës së re të mëndafshit, e cila do të afrojë gjigantin aziatik me Europën.

Presidenti kinez u shpreh se Kina dhe Greqia janë partner në projektin e një rruge të re komunikimi. Një iniciativë që mund të marrë forca të reja nga një zhvillim i mëtejshëm i vendit. Ai u tha se ishte në pritje të zhvillimit të partneritetit në shumë sektorë dhe në përforcimin e tranzitit nga Pireu duke përmirësuar aftësitë e transportit përgjatë linjës së shpejtë tokë – det mes Kinës dhe Europës.

Greqia ka shumë interes në hapjen e tregut të brendshëm kinez, duke nisur nga produktet e agrokulturës e deri tek mermeri i cilësisë së lartë, theksoi presidenti grek. Ai shtoi se në 15 vitet e fundit janë ndërtuar në Kinë më shumë se një mijë anije nga grekët.

Xi Jinping dhe Micotaqis firmosën 16 marrëveshje dypalëshe në sektorë si transporti, agrokultura, siguria, parandalimi i krimit dhe trashëgimia kulturore. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!