Pasuesi i regjimit të vëllezërve Kastro në Kubë, Diaz Kanel ka deklaruar se Havana është e gatshme të dialogojë me Uashingtonin vetëm nëse nga pala amerikane nuk do të ketë kushte.
Presidenti i ri i Kubës, Migel Diaz Kanel është shprehur i gatshëm për dialog me Shtetet e Bashkuara, me kushtin e vetëm që sovraniteti i vendit të tij të mos vihet në diskutim.
Në një intervistë për televizionin venezuelian “Telesur”, e para për një media të huaj që nga marrja e detyrës, Diaz Kanel ka paralajmëruar se, nëse Amerika do të vazhdojë me qëndrimin e saj të ngurtë ndaj Kubës, atëherë dialog nuk do të ketë. “Sepse nuk mund të presësh dialog kur nga njëra anë ka prepotencë, synime hegjemonike dhe presione”, ka thënë Kanel.
Presidenti ka theksuar se edhe embargoja e vendosur ndaj Kubës për rreth 60 vjet ka qenë një praktikë brutale, që ka penguar zhvillimin ekonomik të vendit. “Ishte një faktor që goditi jetën e përditshme të kubanezëve. Mendoj se ishte një praktikë anti-humane, sepse u dënua një popull të vdiste për bukë”, ka thënë Kanel.
Embargoja amerikane ndaj Kubës u vendos për shkak të krizës së raketave bërthamore ruse të vendosura në vendin latin në vitin 1962, pas një marrëveshjeje të fshehtë mes presidentit Nikita Hrushov dhe liderit kubanez Fidel Kastro. Vetëm në dhjetor të 2014-s, presidentët Barack Obama dhe Raul Kastro ranë dakord për të nisur një epokë të re marrëdhëniesh mes dy vendeve. /abcnews.al