Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Presidenti i ri i Kosovës, Abdixhiku zbulon detaje nga takimi me Kurtin: Do rikthehemi në tryezë!

schedule22:21 - 26 Gusht, 2026

schedule 22:21 - 26 Gusht, 2026

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se emrat e propozuar për president gjatë takimit me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, janë në përputhje me parimet e dakorduara mes palëve.

Pas përfundimit të takimit, Abdixhiku tha se diskutimet për emrat e mundshëm për president përbëjnë një hap përpara drejt arritjes së një marrëveshjeje.

“Në tërësinë e emrave të prezantuar mund të them se të gjithë emrat, dikush më shumë e dikush më pak, janë në vijë me parimet e dakorduara deri më tani dhe në këtë drejtim le të themi se ky është një hap përpara”, deklaroi Abdixhiku.



Ai bëri të ditur se takimet do të vijojnë, ndërsa palët pritet të diskutojnë më tej për përzgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës.

“Nuk mund të diskutoj për emra konkretë në këtë fazë, por do të takohemi sërish për të finalizuar dhe për të përzgjedhur presidentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Kreu i LDK-së u shpreh gjithashtu se partia e tij vijon të ketë paqartësi të thella kushtetuese sa i përket konstituimit të Kuvendit. Sipas tij, në këtë fazë, LDK-ja mund të ndihmojë vetëm në procesin për zgjedhjen e presidentit.

“LDK-ja është garancë institucionale. LDK-ja as nuk e konstituon Kuvendin vetvetiu, as nuk e thërret seancën e Kuvendit. Për LDK-në jemi në paqartësi të thella kushtetuese. Gjëja e vetme që mund ta bëjë është që të jetë e arsyeshme për zgjedhjen e presidentit”, u shpreh Abdixhiku.

Ai theksoi se LDK-ja nuk do të veprojë si “vagon” i ndonjë partie tjetër, duke nënvizuar se partia do të mbajë qëndrimet e saj politike dhe institucionale.

“Nëse dikush ende beson se LDK-ja është vagon i ndonjë partie tjetër, kohët kanë ndryshuar shumë. LDK-ja është e LDK-së, mësohuni me një LDK të tillë”, deklaroi Abdixhiku.

Ai shtoi se LDK-ja në këto diskutime përfaqëson qëndrimet dhe parimet e saj historike, duke theksuar se partia “flet me bindje të plotë për atë që përfaqëson historikisht prej 37 vitesh”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!