Presidenti i ri gjeorgjian Mihail Kavelashvili tha në fjalimin e tij të parë që nga marrja e detyrës, se Gjeorgjia do të vazhdojë rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.
“Ne përpiqemi të bëhemi një anëtar i plotë i BE-së në vitin 2030, sepse është një zgjedhje e civilizuar e popullit tonë që është e shkruar në Kushtetutën tonë”, tha Kavelashvili.
Kavelashvili theksoi se deri në vitin 2028, Gjeorgjia do të përmbushë më shumë se 90 për qind të kushteve të Marrëveshjes së Asociimit të lidhur me BE-në në vitin 2014. Ai gjithashtu konfirmoi gatishmërinë e Tbilisit për të negociuar me Brukselin për anëtarësimin e vendit në BE në çdo kohë, nëse Unioni ofron një propozim të tillë.
Më 14 dhjetor, parlamenti gjeorgjian zgjodhi Kavelashvilin si presidentin e ri të vendit. Ai ishte kandidati i partisë qeverisëse Ëndrra Gjeorgjiane dhe mori 224 vota nga gjithsej 300. Kavelashvili zyrtarisht mori detyrën të dielën./abcnews.al