Presidenti grek quan çamët bashkëpunëtorë të nazizmit

schedule15:12 - 8 Shkurt, 2018

schedule 15:12 - 8 Shkurt, 2018

Presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopulos ka komentuar përsëri mardhënien e brishtë mes Athinës dhe Tiranës. Gjithashtu ka përsëritur këshillat e tij për qeverinë shqiptare lidhur me aspiratat euroatlantike. Gjatë një takimi me homologun e tij gjeorgjian, në Pallatin Presidencial, kreu i shtetit grek theksoi se çështja Çame penalizon Tiranën zyrtare. “Qëndrimi i udhëheqjes shqiptare që ngrenë kërkesa krejtësisht të pabazuara për bashkepunetoret e nazistëve nuk e favorizojnë miqësinë tonë si dhe perspektivën evropiane të vendit fqinj”, theksoi Pavlopulos.

Duke përsëritur mbështetjen e Greqisë për perspektivën evropiane të Shqipërisë, ai theksoi nevojën për respektim të plotë të së drejtës ndërkombëtare dhe evropiane, në veçanti të drejtave themelore të njeriut, të drejtat e pakicave dhe të drejtën e pronës së minoritetit.

Gjithashtu kreu i shtetit grek foli edhe për zhvillimet e fundit me Shkupin. Pavlopulos tha se perspektiva evropiane e këtij vendi është plotësisht e varur nga përdorimi i një emri që nuk përcjell irredentizmin dhe që nuk mohon në asnjë mënyrë kufijtë aktualë. Ai i bëri thirrje fqinjit verior që të ndërmarrë të gjitha ndryshimet në rendin ligjor, veçanërisht në Kushtetutë, në mënyrë që të zgjidhet çështja e emrit. Sipas Pavlopulos, nuk do të ketë anëtarësim të Shkupit në BE dhe NATO pa zgjidhjen e kësaj çështjeje./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!