Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Presidenti Begaj mesazh për të rinjtë: Keni energjinë dhe potencialin e brezit që do të ndërtojë të ardhmen

schedule22:05 - 15 Tetor, 2025

schedule 22:05 - 15 Tetor, 2025

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, u përcolli sot një mesazh të rinjve shqiptarë: “Ju, të dashur të rinj e të reja, keni energjinë dhe potencialin e brezit që do të ndërtojë të ardhmen, një brezi që di të mendojë, të analizojë, të bashkëpunojë dhe të respektojë rregullat e lojës së ndershme.”

Këtë deklaratë Presidenti Begaj e bëri nga Durrësi, ku ishte i ftuar në ceremoninë përmbyllëse të Kampionatit Botëror të Shahut për të Rinj, i cili bëri bashkë talente nga e gjithë bota.

Në fjalën përshëndetëse, Kreu i Shtetit e cilësoi momentin e kurorëzimit të fituesve të këtij Kampionati Botëror si festë të dijes, ndërsa i këshilloi të rinjtë të ruajnë vlerat që ndërtojnë qytetarin e së nesërmes, profesionistin e ndershëm dhe njeriun me integritet.

“Shahu nuk është vetëm një lojë. Ai është gjimnastikë e mendjes, ushtrim i karakterit dhe një mënyrë për të ndërtuar strategjinë e mendimit, durimin dhe përqendrimin. Në çdo lëvizje të figurave, në çdo hap të menduar me kujdes, qëndron një mësim për jetën: si të shohësh përtej momentit, të mendosh me maturi, të kuptosh se çdo vendim ka pasojën e vet, ashtu si në jetë, ku çdo zgjedhje kërkon përgjegjësi, reflektim dhe guxim. Në këtë kuptim, shahu është shkollë, shkolla e qetësisë, logjikës dhe respektit për kundërshtarin”,  deklaroi Presidenti i Republikës.

Ndërsa përgëzoi fituesit dhe pjesëmarrësit në garën ndërkombëtare të shahut, Presidenti Begaj theksoi se ata janë shembulli më i mirë se si sporti dhe arsimi, mendja dhe karakteri, mund të ecin krah për krah.

“Mbajeni të gjallë këtë frymë përtej këtij kampionati: në shkolla, në komunitete, në jetën e përditshme! Një shoqëri që investon në mendje të qeta dhe në zemra të pastra, është një shoqëri që ecën me siguri drejt së ardhmes”, – deklaroi Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përpara më shumë se 750 shahistëve të rinj nga më shumë se 90 shtete, trajnerëve, arbitrave dhe figura të njohura të botës së shahut./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!