Presidenti Begaj dhe Zonja e Parë festojnë me fëmijët e ushatarakëve, të shtëpisë së foshnjës

schedule12:31 - 3 Qershor, 2023

schedule 12:31 - 3 Qershor, 2023

Fëmijët e ushtarakëve në misione paqeruajtëse, fëmijët e shtëpisë së foshnjës “Hannah dhe Rozafa” në Tiranë, si dhe fëmijët e stafit të Institucionit të Presidentit u bënë bashkë për të kaluar një mëngjes festiv së bashku me Presidentin e Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj dhe Zonjën e Parë, Armanda Begaj. Aktiviteti i mbushur me momente kulturore dhe dëfryese për fëmijët, organizuar me iniciativë të Zonjës së Parë, kishte si synim të vendoste theksin tek nevoja që ka çdo fëmijë për t’u rritur në një ambient mbështetës e motivues.

“Ne, prindër dhe gjyshër, kemi një detyrë, të rrisim dhe edukojmë më të shtrenjtët tanë, duke u falur dashuri pa kufi, duke u dhënë mbështetjen e nevojshme dhe të duhur, duke u dhënë kurajo me duartrokitjet tona! Na takon ne të përcaktojmë familjen ku do të rriten fëmijët tanë, shoqërinë ku do të rriten ata! E kemi detyrë t’i bëjmë ata të ndihen gjithmonë të sigurtë në hapat e tyre, gjithmonë të mbrojtur,” tha në një prononcim për mediat Zonja e Parë.

Zonja Begaj vazhdoi më tej duke nënvizuar se: “Është detyrë e jona, e familjeve, e mësuesve, edukatoreve, institucioneve të ndryshme, t’i ushqejnë ata me dëshirën për t’u edukuar dhe shkolluar, për të qenë të lirë në mendime dhe veprimet e tyre, për të respektuar njëri-tjetrin dhe ne të rriturit. Për të dashur dhe respektuar atdheun e tyre. Fëmijët me ngjyrat e tyre, të lyejnë tablonë e jetës me optimizëm, e të sjëllin shpresën edhe përballë sfidës më të vështirë! Ata janë superheronjtë tanë.”

Aktiviteti kulmoi me një surprizë emocionuese, ku së bashku me Presidentin Begaj, fëmijët e ushtarakëve në misione paqeruajtëse patën mundësinë të përshëndeteshin në një lidhje të drejtpërdrejtë me baballarët e tyre. Kreu i Shtetit falenderoi ushtarakët tanë në misione për kontributin e tyre dhe shprehu krenarinë për misionet e tyre, duke thënë se gjithçka që ata bëjnë, e bëjnë në emër të atdheut dhe të ardhmes së fëmijëve të tyre dhe fëmijëve të të gjithë botës.

Nuk munguan gjithashtu këndet e leximit, shfaqje të sjella nga Teatri i Kukullave apo Cirku Kombëtar i Tiranës, e plot aktivitete të tjera të cilat entuziazmuan të vegjlit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!