Presidenti Begaj bisedë telefonike me Vjosa Osmanin: Vetëm me dialog mund të adresohen çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë – Abc News

Presidenti Begaj bisedë telefonike me Vjosa Osmanin: Vetëm me dialog mund të adresohen çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë

schedule14:02 - 1 Gusht, 2022

schedule 14:02 - 1 Gusht, 2022

Presidenti Bajram Begaj ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologen etij të Kosovës, Vjosa Osmani.

Situata në veri të Kosovës ka qenë në fokus të bisedës, ndërsa Begaj ka theksuar se “Kosova është tashmë një realitet i pakthyeshëm politik, kontribues për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe sovraniteti i saj mbetet i pacënueshëm.”

Njoftimi i Presidencës:

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, zhvilloi një bisedë telefonike me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa ka ndjekur me shqetësim ngjarjet në veriun e Kosovës. Gjatë bisedës me homologen e Kosovës, Presidenti përshëndeti vendimin e matur që autoritetet e Kosovës morën në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, për të shtyrë zbatimin e vendimit të reciprocitetit me Serbinë për çështjet e dakordësuara më herët.

Kreu i shtetit nënvizoi se vendimi shmangu një provokim të rëndë për stabilitetin e Kosovës, veçanërisht në këtë situatë të ngarkuar me kërcënime e rreziqe të mëdha e të shtuara, për paqen dhe sigurinë e rajonin tonë pas agresionit rus në Ukrainë.

Presidenti i Republikës nënvizoi se, Kosova është tashmë një realitet i pakthyeshëm politik, kontribues për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe sovraniteti i saj mbetet i pacënueshëm.

Presidenti i Republikës tha se i bashkohet thirrjes së aleatëve në NATO dhe partnerëve ndërkombëtare për vijimin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Vetëm nëpërmjet një dialogu konstruktiv dhe intensiv do të mund të adresohen drejtë të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë. Shqipëria do të vijojë të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e saj për ruajtjen e paqes dhe stabilietit në rajon, si dhe të mbështesë fuqishëm vijimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.” – nënvizoi Presidenti Begaj gjatë bisedës telefonike me Presidenten Osmani. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!