Presidencialet në SHBA, Luarasi: Trump debatues ekselent për Shqipërinë, pa pandeminë dilte fitues

schedule20:14 - 30 Shtator, 2020

schedule 20:14 - 30 Shtator, 2020

Presidenti amerikan Donald Trump është një debatues shumë i mirë nëse debati do të mbahej në Shqipëri, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë të tjera kritere. Në këtë mendim kanë rënë dakord pedagogia në Universitetin e Tiranës Iris Luarasi dhe gazetari Endri Xhafo, në një bisedë virtuale rreth debatit Trump-Biden në SHBA.

“Trump për në Shqipëri do të ishte ekselent, sepse është tipi i debatuesit që nuk dëgjon. I bindur dhe i qartë që nuk e lë kundërshtarin që të thotë atë që mendon dhe nuk pranon asnjë nga akuzat që i bëhen.”

Po ashtu, Luarasi theksoi se në këto zgjedhje presidenciale në SHBA kemi një “risi” një gjë që nuk ka ndodhur më parë. Sipas saj, është hera e parë që drejtuesi i një shteti vë në pah manipulime në sistemin zgjedhor të vendit që drejton ai vetë.

“Ka një gjë që nuk ka ndodhur më parë në SHBA, Trump gjatë gjithë kësaj periudhe është munduar te tregojë që ka manipulime me votat e hedhur me postë. Ky është një standart gati i çuditshëm në SHBA.”

E pyetur se çfarë e pengon Trump që ta kthejnë SHBA-në në një vend autoritar, Iris Luarasi u shpreh se edhe pse presidenti ka të përbashkëta me figura si Viktor Orban, por sistemi i ndërtuar në qindra vite nuk e mundëson një ndryshim të tillë në 4 vite ose më shumë.

“Një sistem i ndërtuar nga qindra vite, ka gjasa të mos shpërbëhet në 4 vite. Megjithatë emërimi i gjykatëses është një kambanë alarmi. Në SHBA kemi edhe rrjetet online, që përpiqen t’i tregojnë publikut të vërtetën.”

Po ashtu, zonja Luarasi u shprehe bindur se pa pandeminë, Trump mund ta kishte pasur të sigurt fitoren.

Trump dhe Joe Biden mbajtën debatin e parë në në kuadër të zgjedhjeve presidenciale të muajit nëntor. Dy debatet e radhës janë të caktuar për në 15 dhe 22 tetor. s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!