Prençi në “Log.”: Ekipet e shpëtimit ndërhynë me fadroma pas tërmetit, rrezikuan të mbijetuarit

schedule22:07 - 30 Nëntor, 2021

schedule 22:07 - 30 Nëntor, 2021

Këshilltari i presidentit për Emergjencat Civile Shemsi Prençi ka deklaruar në ABC se prokuroria duhet të kishte nisur hetimet që pas tërmetit të 26 nëntorit në lidhje me dëmet në disa godina ku pati viktima në atë të 26 nëntorit 2019.

“Një fatkeqësi si ajo e 26 nëntorit kërkon angazhimin e strukturave shtetërorë në disa faza. Prokuroria duhet të kishte nisur me hetimet që pas tërmetit të 21 shtatorit. Kur nisën hetimet për konvaleshencën magazinieri u mbajt në burg ndërsa drejtori u lirua. Kjo godinë ishte shpallur e pabanueshme nga tërmeti i shtatorit.

Të ndjekësh hetimet në një ngjarje si tërmeti është e vështirë. Një fatkeqësi si kjo kërkon përgjegjësi maksimale dhe angazhim serioz të drejtuar. Kemi përmendur disa herë gjatë periudhës së tërmetit institutin e ndërtimit që e ka detyrë parësore të ushtrojë kontrolle. Instituti i Ndërtimit duhet të ketë laborator për kontrollin e cilësisë së betonit”, deklaroi Prençi.

Ai shtoi se në orët e para të mëngjesit pas tërmetit ekipet e shpëtimit ndërhynë me fadroma gjë që nuk lejohet pasi në vend që të shpëtosh njerëz, sipas Prençit, mund të rrezikosh jetën e tyre.

“Vendi ynë është ndihmuar herë pas here nga delegacionet e BE për ngritjen e kapaciteteve. Di faktikisht listën e materialeve që ne na ka financuar banka botërore. Ne kamerat termike i kishim, qenin e kishim. Ekipi i Kosovës na erdhi me kamera termike dhe qenin e shpëtimit. Mungonte drejtimi. Në orët e para të mëngjesit ekipet e para të shpëtimit ishin me fadroma gjë që nuk lejohet se në vend që të shpëtosh njerëz mund t’i rrezikosh ata. Shteti shqiptar ka qenë është dhe do të mbetet pragmatist”, u shpreh ai. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!