EMRI/ “Premtuesi” nuk mban premtimin, policia e arreston

schedule14:01 - 16 Korrik, 2022

schedule 14:01 - 16 Korrik, 2022

Policia e Tiranës ka arrestuar një 29-vjeçar të identifikuar si Julian Gjoka, i cili ka mashtruar dy gra me premtimin se do t’i punësonte. Blutë bëjnë me dije se i riu u ka marrë atyre një shumë të konsiderueshme parash me premtimin se do t’i gjente punë, pork jo nuk ka ndodhur duke bërë që gratë ta padisnin në polici për mashtrim.

Krahas kësaj, ai tashmë do të ndiqet penalisht edhe për vepra të tjera penale siç është “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Policia e ka quajtur operacionin “premtuesi” nisur nga situata e krijuar. I riu nga Vora tashmë ndodhet në ambientet e policisë dhe pritet që gjykata të japë masën e sigurisë gjatë orëve në vijim.

Njoftimi i policisë

Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Premtuesi”.

Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Përvetësoi, nëpërmjet mashtrimit, dokumenteve të falsifikuara dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, shuma të konsiderueshme parash, vihet në pranga 29-vjeçari.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Premtuesi”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– J. Gj., 29 vjeç, banues në Vorë, për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Ky shtetas dyshohet se me anë të mashtrimit, dokumenteve të falsifikuara dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, ka përfituar shuma të konsiderueshme parash nga shtetaset V. Ç. dhe L. P., të cilave iu kishte premtuar se do t’i punësonte në institucione shtetërore.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!