Eden Hazard la Chelsea në verë dhe u transferua te Real Madrid. Gjithmonë kishte ëndërruar për të luajtur në “Santiago Bernabeu” dhe ia doli. Për shërbimet e tij insistoi fort edhe PSG, por transferimi në kryeqytetin francez ishte i pamundur.
28-vjeçari shpjegon shkakun në një prononcim për L’Equipe. Hazard është një person që e mban fjalën dhe ka vetëm një mënyrë për t’u rikthyer në kampionatin francez.
“PSG më ka kërkuar disa herë, jo vetëm verën e kaluar, por i kam refuzuar gjithmonë. E kam thënë gjithmonë se në Francë do të rikthehesha vetëm për Lille, aty ku zhvillova 5 sezone, për asnjë klub tjetër. Në kokën time ka qenë gjithmonë gjithçka e qartë.
PSG konkurron për fitimin e Champions League, por ky klub nuk ka bërë kurrë pjesë në prioritet e mia. E përsëris: nëse do të rikthehesha në Francë, do të ndodhte vetëm te Lille“, thekson fantazisti belg i Real Madrid. /abcnews.al