Premtimet e pambajtura që të rëndojnë? Përgjigjet Erion Veliaj

schedule20:48 - 25 Prill, 2019

schedule 20:48 - 25 Prill, 2019

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “Mbrëmje ABC” nga Mirela Milori. I pyetur se cilat ishin premtimet e pambajtura që e rëndonin gjatë këtij mandati të parë, Veliaj vuri theksin tek shkollat e reja disa prej të cilave janë penguar prej mentalitetit.

“Një nga gjërat që mendoj janë premtime gjysmë të mbajtura janë shkollat e reja. Disa u bënë dhe u mbaruan, shkolla Kosova ishte sukses. Liceu bashkë me sallën e koncerteve, Shkolla Baletit, shtesa që i bëmë “Çajupit”, shtesa te “Isa Boletini”, shkolla e re “Ardian Klosi” që ka transformuar të gjithë zonën te Bregu i Lumit. Hapja e 62 shkollave pasdite me palestrat e reja ku fëmijët nuk janë për gjashtë orë sa kohë prindërit janë në punë. Këto janë punë shumë të mira, por ndërkohë siç e pamë më mori shumë kohë shkolla në Kodër Kamzë, shkolla Nënë Tereza. Luftë me mentalitetin, me bllokime, me çudira. Megjithatë tani jemi te faza ku janë zhbllokuar të gjitha vendet ende ku s’ka filluar puna dhe besoj se deri në fund të mandatit do kemi filluar punë”, tha Veliaj.

Veliaj është konfirmuar si kandidat për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 30 Qershorit. Duke bërë një përmbledhje të punës së tij si qytetar i parë i kryeqytetit, ai theksoi se Tirana është munduar që të kapë kohën e humbur. Ndërkohë, fokus për të në mandatin e dytë do të jetë periferia dhe zonat rurale.

“Ka ca gjëra që janë bërë shumë mirë dhe ndihem krenar që skuadra ka performuar kaq mirë, ka ca gjëra që mund të bëheshin më mirë dhe më shpejt. Ka disa mentalitet që kanë ndryshuar. Në përgjithësi mund të them që Tirana nuk është në gjumë. Kaluam në një Tiranë që i kishte ngec sahati 24 orë edhe fizikisht edhe metaforikisht në një Tiranë që po mundohet të kapë kohën e humbur. Kam reflektuar me këmbë në tokë, pa eufori për progresin që kemi pasur. Ne duhet të punojmë akoma më fort për të ulur hendekun mes zonave rurale dhe zonave urbane. Në mandatin e dytë një fokus i madh do të jetë periferia dhe zonat rurale”, tha kryebashkiaku i Tiranës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!