Pas shumë zhgënjimesh radhazi u rikthyen më në fund te suksesi.
“Djajtë e Kuq” të Manchester United kanë siguruar një fitore të madhe mesditën e kësaj të shtune, teksa mundën 2-1, me përmbysje, skuadrën e Brentford në “Old Trafford”, duke lumturuar afro 70 mijë të pranishmit në “Teatrin e Ëndrrave”.
Protagonistët absolut ishin dy talentet e sulmit, Alejandro Garnacho e Ramsus Hojlund, të cilët realizuan në minutat 47’ e 62’ të pjesës së dytë, për të nxjerrë “të pavlefshëm” golin e Pinnock, të realizuar në sekondat e fundit të pjesës së parë.
Fitore të mëdha arritën edhe Brighton e Aston Villa, me “Pulëbardhat” që mundën minimalisht 1-0 falë golit të Danny Welbeck “Bardhezinjtë” e Newcastle, ndërsa djemtë e Unai Emery fituan 3-1 transfertën e Fulham, me meskikanin Raul Jimenez që shënoi për vendasit, ndërsa Rogers, Watkins e Diop, ky i fundit me një autogol, menduan për triumfin e Aston Villa.
Ndërkaq, në përballje të tjera të javës së tetë të Premier League, Everton triumfoi me shifrat 2-0 transfertën e Ipswich, ndërsa Leicester përmbysi gjithçka ndaj “Shenjtorëve” të Southampton, me “Dhelprat” që regjistruarn suksesin 3-2.
Falë këtyre rezultateve, Aston Villa ngjitet në vendin e 4-t të tabelës, me 17 pikë ndjekur nga Brighton me 15 pikë. Newcastle, Fulham e Manchester United pozicionohen në vendet 9, 10 e 11, me nga 12, 11 e 11 pikë. Brentford e Leicester ndodhen në vendet 12 e 13, me 10 e 9 pikë, Everton e Ipswich në vendet 16 e 17, me 8 e 4 pikë ndërsa Southampton vijon në fund të tabelës, me vetëm 1 pikë. /i.m /abcnews.al