Premier League/ United “bie” në “Old Trafford”, Aston Villa e Palace nuk gabojnë në “shtëpi”

schedule18:16 - 24 Shkurt, 2024

schedule 18:16 - 24 Shkurt, 2024

Manchester United “bie” në “Old Trafford” përballë Fulham. “Djajtë e Kuq” u mposhtën me shifrat 1-2 ndaj skuadrës së re të Armando Brojës, me “bomberin” shqiptar, që vijon të “ngrohë” stolin, teksa edhe këtë të shtunë, nuk pati asnjë minutë në fushën e blertë për talentin e sulmit të Kombëtares sonë.

Ishin miqtë ata të cilët shënuan të parët me Bassey në minutën e 65’-të. Megjithatë, të besuarit e trajnerit Erik ten Hag, reaguan në fund, në minutën e 89’-të me Harry Maguire. Mbrojtësi shtyu topin në portën e boshatisur pas një goditje të Bruno Fernandez, teksa për Maguire ishte goli i parë pas dy vitesh. Hera e fundit që kishte shënuar ishte më date 20 shkurt të vitit 2022 ndaj Leeds United.

Mirëpo, surprizat nuk kishin fund në “Old Trafford” me Fulham që realizoi golin e dytë në minutën e 97’, teksa një kundërsulm perfekt i miqve me Adama Traore, përfundoi në gol, me anësori spanjoll që ftoi në aksion nigerianin Iwobi, me këtë të fundit që la të palëvizur portierin Onana falë një goditjeje potente

Përfundimisht, 2-1 për Fulham që u rikthye të fitonte në “Old Trafford” pas 20 vitesh. Kështu, mori fund ecuria prej katër fitoresh radhazi e Manchester United që tashmë mbetet në kuotën e 44 pikëve në vend të gjashtë, ndërsa nga ana tjetër, Fulham renditet në vendin e 12 me 32 pikë.

Në ndeshjet e tjera, Aston Villa fitoi me shifrat 4-2 përballë Nottingham Forest. Skuadra e drejtuar nga trajneri Unai Emery mban vendin e katërt me 52 pikë ndërsa Nottingham mbetet me 24 pikë në vend të 16. Ndërkaq, Brighton barazoi në “shtëpi” me Everton me rezultatin 1-1, ndërsa Crystal Palace mposhti skuadrën Burnley me shifrat 3-1. /i.m /abcnews.al 

SHIKONI GOLAT: 

Manchester United 1 – 2 Fulham

Aston Villa 4 – 2 Nottingham Forest

Brighton 1 – 1 Everton

Crystal Palace 3 – 1 Burnley

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!