Ishte padyshim një përballje spektakolare dhe kjo mund të shihet që nga numri i golave të shënuar, plot 9 të tillë.
“Të Kuqtë” e Liverpool kanë vërtetuar edhe njëherë se janë pretendentët absolut për titullin kampion të Premier League, teksa mbrëmjen e kësaj të diele kanë arritur të triumfojnë me rezultatin e thellë 6-3, në transfertën e Tottenham, të vlefshme për javën e 17-të të këtij edicioni.
Protagonist absolut në fitoren e djemve të Arne Slot ishte padyshim “ylli” egjiptian Mohamed Salah, me 2 gola të shënuar e 2 asistime. Dy gola shënoi edhe kolumbiani Luis Diaz, ndërsa për të vulosur rezultatin e përgjithshëm menduan Mac Allister e Dominik Szoboszlai për miqtë, si dhe Maddison, Kulusevski e Solanke për vendasit e Postecoglou.
Falë këtij rezultati “Të Kuqtë” e Liverpool ngjiten në kuotën e 39 pikëve, 4 më shumë se Chelsea, teksa kanë një ndeshje më shumë për të zhvilluar, ndërsa Tottenham mbetet në vendin e 11-të me 23 pikë. /i.m /abcnews.al