Prek gruaja në grevën e urisë: S’kisha para t’i blija vajzës maskë, qeveria i kombinon me fustanet

schedule11:00 - 15 Tetor, 2020

schedule 11:00 - 15 Tetor, 2020

Me lot në sy dhe me trishtimin që nuk e fshehin dot, nuk e kanë të lehtë që sot të futen në grevë urie për të zëvendësuar burrat pas 18 ditësh “ngujim” në uzinën e Ballshit. Gratë naftëtare thonë se e kanë ndërmarrë këtë hap në mënyrë që qeveria dhe kompania private të kthejë sytë nga ata, jo për lëmoshë por për atë që i takon.

Një prej tyre prek me fjalët e saj, kur tregon se e bija kërkon para për të vendosur maskën apo për të blerë një fletore në shkollë, ndërsa ajo e cila ka 34 vite që punon si laborante sot nuk ka të holla për të mbuluar shpenzimet e të bijës. Ajo shprehet se qeveritarët sot jetojnë mes luksit ndërsa ndërrojnë maskat duke i kombinuar me veshjet.

“Ndoshta kryeministri dhe ministrja nuk e kanë marrë seriozisht punën e këtyre grave. Nuk po themi që duam diçka jashtë ligjit, duam atë që na takon. Duam atë që na jep ligji. T’i japin një zgjidhje sa më parë se nuk është e lehtë për fëmijët tanë. Vajza ime është mbasdite në shkollë gjimnaziste dhe nuk e di si mund ta përjetojë vajza ime.

Ky është profesioni jonë. Unë jam laborante prej 34 vjetësh, sot nuk kisha lekë t’i blija vajzës fletore. Vajza kërkonte maskë sot, unë nuk kisha t’i bleja. Qeveritarët po ndërrojnë maskat sipas veshjes. Me lule fustanet, me lule maska. Ndërsa vajza ime qante për një 200 lekëshe. Kjo është zgjidhja jonë. Do sakrifikojmë. I bëjmë thirrje të na heqë lotët nga sytë. Ne të punojmë një vit dhe nuk i lajmë dot ato borxhet që kemi marrë”, shprehet ajo.

Ndërsa një tjetër thotë se greva e tyre do të dalë në mediat ndërkombëtare, duke e cilësuar si turp të institucioneve që nuk marrin përgjegjësitë e tyre. “Përderisa nuk po na japin zgjidhje ne vendosëm të futeshim vetë në grevë urie., Ky është turpi i botës. Turp t’iu vijë atyre që lozin me njëri-tjetrin dhe nuk përgjigjen për naftërarët. Turp t’u vijë atyre që futen gratë në grevë urie. Ky lajm do të dalë nëpër botë dhe atyre turp t’u vijë”, thotë ajo./mv. abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!