Pranimin në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, 39 vite më parë, mjeshtri i valles, Genc Kastrati, e konsideron një ëndërr të bërë realitet.
I ftuar në emisionin “Pas Mesnate”, ai e kujton me shumë nostalgji atë moment dhe çastet më pas, kur ka kërcyer me idhujt e tij, Besim Zekthin dhe Rexhep Çelikun. Kastrati thekson se kjo ishte arritja më e madhe e jetës së tij.
“Kur hyra në Ansambël, për mua ishte arritja më e madhe e jetës sime. Ansambli ishte ëndërr për këdo. Unë kam hyrë në periudhën e diktaturës, në shtator të ’85 u bëra pjesë e Ansamblit, mbas një konkursi rigoroz. Në fund u pranuan vetëm dy djem në atë kohë, unë dhe shoku im në atë kohë, Arsen Mërsini dhe ai sigurisht një valltar i jashtëzakonshëm, por më vonë ai emigroi dhe e la.
Aty gjeta yjet dhe ishin shumë kërkues. Ata ishin dhe kolegë të babait tim, por për mua ishin idhuj. Besim Zekthi kishte dalë në pension, por vazhdimisht ai insistonte dhe kemi kërcyer. Por me Rexhep Çelikun kam kërcyer më shpesh”, u shpreh mjeshtri i valles./abcnews.al