Prapaskena te City dhe biseda me Xhakën, rrëfimi i sinqertë i trajnerit Arteta

schedule08:39 - 26 Dhjetor, 2019

schedule 08:39 - 26 Dhjetor, 2019

Granit Xhaka u bë çështje te Arsenali para pak kohësh, për shkak se mesfushori nga Gjilani nuk reagoi mirë ndaj vërshëllimave të tifozëve. Së fundmi ai është kthyer të luajë titullar me “Topçinjtë” sërish. Tifozët gradualisht po kthehen në krahun e mesfushorit, i cili në ndeshjen e fundit me Everton ishte një nga më të mirët në fushë.

Trajneri i ri, Mikel Arteta, ka folur për Xhakën dhe ka treguar se ai është një lojtar i rëndësishëm dhe ka zbuluar madje edhe bisedën e bërë me të. Veç kësaj, spanjolli e thotë hapur që kur ishte tek City preferonte ta merrte në skuadër shqiptarin e Zvicrës.

“Kur shkova nga Arsenali te City, po shikonim për një lojtar në pozicionin e tij. Xhaka ishte në listën time. Isha i lumtur kur Arsenali firmosi me të, sepse mendova se do të ishte një lojtar i frikshëm”, thotë fillimisht Arteta, i cili më pas komenton edhe situatën e kaluar dhe aktualen.

“Ai po bënte disa gjëra të mira dhe tani ka ngecur në një situatë të vështirë. Mendoj se ai po rritej, por një ditë shpërtheu. Gjërat po i kthehen normalitetit dhe  tifozët po tregohen të mirë me të. Natyrisht është e vështirë ta ndryshosh skenarin direkt. Mendoj se jemi në rrugën e duhur”, shton tekniku i londinezëve.

Në fund ai tregon për bisedën që ka pasur me Xhakën: “I kam thënë atij sa e pëlqej dhe çfarë pres nga ai, sikurse edhe se sa i rëndësishëm është për ekipin. Jam këtu për ta ndihmuar atë. Jam këtu për ta ndihmuar dhe duhet ta ndjejë që na ka pas vetes të gjithëve, jo vetëm mua. Ai mund ta ndihmojë këtë skuadër”. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!