Prapaskena me Icardin, Wanda Nara zbulon opsionin që do sillte kaos

schedule13:32 - 28 Tetor, 2019

schedule 13:32 - 28 Tetor, 2019

Interi ia bëri të qartë se duhet të gjente një ekip të ri dhe Mauro Icardi e kaloi verën duke shqyrtuar ofertat e ndryshme. Në një moment u fut edhe Milani në lojë. Kuqezinjtë tentuan të përfitonin për t’i dhuruar trajnerit Giampaolo një makineri golash, por akordi nuk u arrit kurrë për fatin e mirë të tifozëve zikaltër, të cilët do e përjetonin keq një transferim të tillë

Icardi fluturoi drejt PSG-së, aty ku u huazua me të drejtë blerje në fund të sezonit për shumën e 70 milionë eurove. Wanda Nara, gruaja dhe agjentja e sulmuesit argjentinas ka konfirmuar prapaskenën me Milanin, një opsion që e preferonte për të vazhduar punën dhe jetesën në qytetin e modës.

“Ekzistonte mundësia që Icardi të transferohej te Milani. Unë e kisha më të vështirë transferimin në Francë dhe do ndihesha më komode me kalimin e Mauros te kuqezinjtë. Gjithsesi, PSG është zgjidhja më e mirë për karrierën e tij”, thekson Wanda Nara. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!