Andriy Shevchenko mbetet një nga futbollistët më të mirë të historisë së futbollit. Një sulmues i kompletuar, një goleador i frikshëm dhe një personazh gjithmonë korrekt e i dashur për të gjithë.
Ukrainasi shpërtheu te Dinamo Kiev, ndërsa lavdinë e arriti te Milani, aty ku fitoi Champions League dhe “Topin e Artë”. Sheva deklaron për DAZN se nuk e harron kurrë finalen e Champions League të vitit 2003 kundër Juventusit.
Atij i ra shorti të godiste penalltinë vendimtare, shënoi me një ftohtësi të frikshme dhe dërgoi kupën në Milanon kuqezi. “Ka qenë një moment shumë i veçantë kalimi te Milani. Ibrahim Ba ma ofroi menjëherë fanellën me numër 7. Më kujtohet se dy ditë më pas më telefonoi një mik i fëmijërisë dhe më tha se 7-ta në gjuhën hebraike lexohet Sheva.
Nuk mund ta besoja, teksa ai më tha se do të më sillte fat ai numër. Kujtimi më i bukur me Milanin? Mbrëmja e finales së Champions League kundër Juventusit. Ishte hera e parë që luaja një finale të tillë dhe mbetet një nga ndeshjet më të rëndësishme të jetës time. S’i harroj kurrë ato 12-15 sekondat, në të cilat u nisa nga mesi i fushës për të gjuajtur penalltinë e fundit.
Më kaloi para syve e gjithë jeta ime në ato sekonda. Të kujtohet ëndrra që ke pasur si fëmijë dhe ndjen që je shumë afër realizimit të saj. Po mendoja sesi të gjuaja atë penallti. Pashë arbitrin, topin dhe Buffon. Godita topin ashtu siç e kisha vendosur dhe në të njëjtën mënyrë që dëshiroja ta gjuaja“, thekson Shevchenko. /abcnews.al