Prapa dyerve të mbyllura, refugjatët afganë në Kosovë presin vizat

schedule17:37 - 27 Tetor, 2021

schedule 17:37 - 27 Tetor, 2021

Mbi 750 shtetas afganë, të cilët ikën nga Afganistani pasi talibanët morën kontrollin mbi këtë shtet në muajin gusht, ende gjenden në Kosovë.

Kosova ishte njëra nga shtetet, e cila hapi dyert për pranim të përkohshëm të shtetasve afganë, të cilët mund të qëndrojnë më së shumti deri në një vit.
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se që nga fundi i muajit gusht, në Kosovë kanë ardhur 1,286 persona nga Afganistani. Ndërkohë, 528 afganë janë larguar për në SHBA dhe vende të tjera aleate.

Në Kosovë ende qëndrojnë 758 persona.

Sipas institucioneve të Kosovës, qytetarët afganë që erdhën në Kosovë ishin kryesisht bashkëpunëtorë të NATO-s dhe forcave të tjera aleate që prej fillimit të luftës në Afganistan në vitin 2001. Ata janë në Kosovë kryesisht me familjet e tyre.

Për dallim nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ku shtetasit afganë që po gjejnë strehim atje janë të lirë të lëvizin jashtë hapësirave ku ata janë të vendosur, për afganët që strehohen në Kosovë ka masa më të rrepta të sigurisë.

Që nga dita e mbërritjes në territorin e Kosovës, afganët ishin dhe vazhdojnë të jenë të mbyllur në dy kampe, kampin ushtarak amerikan Bondsteel dhe një kamp tjetër afër tij i njohur si kampi ndërtimor Bechtel-Enka.

Në kampin Bechtel-Enka ishin të strehuar shtetas që kanë punuar me forcat e NATO-s në Afganistan. Që të dy këto kampe janë në afërsi të qytetit të Ferizajt dhe distanca mes tyre është më pak se dy kilometra.

Grupi i parë i afganëve i përbërë nga 117 persona, që u largua nga Kosova më 16 shtator ishte pikërisht nga kampi Bechtel-Enka. Ky grup udhëtoi drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Ministria Punëve të Brendshme nuk është përgjigjur se kur pritet të bëhet transferimi i radhës nga kampet në Kosovë për në shtetet e tjera.

Në kohën kur qytetarët afganë u sollën në Kosovë, ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla, pati deklaruar për Radion Evropa e Lirë se rreth 2,000 shtetas afganë pritet të vijnë në Kosovë dhe se qëndrimi i tyre në këtë shtet nuk do të jetë afatgjatë.

“Bëhet fjalë për çështje javësh, mos të them muajsh”, ka thënë ministri Sveçla.

Në një intervistë televizive për mediumin lokal, Kanal 10, më 26 tetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka deklaruar se bazuar në marrëveshjet me SHBA-në dhe NATO-n, afganët që janë në Kosovë do të shkojnë për qëndrim permanent në SHBA dhe shtetet e tjera aleate.

“Që të gjithë që janë në kampin amerikan përgatiten pastaj për të shkuar në Amerikë, kurse ata që janë në kampin e NATO-s, sepse kemi dy marrëveshje, një me Shtetet e Bashkuara, një me NATO-n, ata pastaj do të shkojnë në vendet e tyre permanente që janë shtete anëtare të NATO-s. Diku 17 ose 18 shtete do t’i pranojnë”, ka thënë presidentja Osmani.

Mungesa e transparencës ngre pikëpyetje
Përderisa mbesin të mbyllur në kampe, organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë ngritur dyshime nëse ka një plan konkret se çfarë do të ndodhë me qytetarët afganë që janë në Kosovë për verifikime shtesë para se të kompletojnë dokumentacionin për të nisur një jetë të re në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ambasada Amerikane në Prishtinë më 4 shtator ka tërhequr vërejtjen se procesi i kompletimit të dokumentacioneve, si dhe verifikimet shtesë, kërkojnë një kohë më të gjatë.

Për këtë çështje, të kufizuara janë informacionet edhe në institucionet në Kosovës.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme nuk ka dhënë ndonjë përgjigje për Radion Evropa e Lirë se çfarë do të ndodhë me afganët, të cilët, eventualisht, nuk e kalojnë verifikimin dhe janë të papranueshëm për të nisur një jetë të re në SHBA apo vende të tjera perëndimore.

AI: SHBA-ja dhe Kosova të mos i shkelin ligjet dhe konventat ndërkombëtare
Hulumtuesja në organizatën ndërkombëtare, Amnesty International, Jelena Sesar, është kritike ndaj administratës amerikane dhe institucioneve të tjera të përfshira në këtë proces për, siç thotë ajo, minim të informacioneve për të.

SHBA-ja, sipas saj, deri më tani me mënyrën se si ka vepruar, ka krijuar shumë konfuzion se cili do të jetë fati i afganëve që nuk do t’i plotësojnë kriteret për t’u pajisur me viza migrimi për t’u zhvendosur në SHBA.

Ajo thotë se janë dy kategori për të cilat nuk ka përgjigje se çfarë do të ndodhë me ata personat që pajisja me vizë migrimi kërkon procedura shtesë, si dhe kategoria e personave që kanë nevojë për verifikime shtesë të sigurisë.

“Ne e dimë që do të jetë një grup i njerëzve me familjet e tyre që praktikisht do të ngecin në Kosovë për një të ardhshme të parashikueshme. Përderisa kushtet për momentin janë në rregull, t’i mbash njerëzit në një kamp së bashku me familjet e tyre, përfshirë këtu edhe fëmijët për një kohë të pacaktuar, do të jetë shumë e vështirë dhe do të paraqesë sfida të panumërta të mbrojtjes për njerëzit që janë brenda, siç është mungesa e edukimit për fëmijë, por mbi të gjitha, liria e lëvizjes”, shprehet Sesar.

Ajo, po ashtu, ngriti shqetësimin se çka do të ndodhë me ata persona, të cilët nuk e kalojnë verifikimin e sigurisë dhe mund të paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.

“Ne nuk e dimë cili është statusi i këtyre njerëzve. A janë në mbajtje? Nëse janë, a kanë qasje në asistencë ligjore, por edhe më problematik është fakti për të cilin ne jemi të shqetësuar se cili është plani për këta njerëz? A ka plane për zhvendosjen e tyre? A janë këta njerëz në rrezik që të rikthehen në Afganistan dhe keni parasysh shumica nga ta kanë ardhur në Kosovë me familjet e tyre. Pra, ka gra dhe fëmijë që do të prekeshin nga ky vendim”, thotë Sesar.

Sipas saj, SHBA-ja dhe institucionet e Kosovës duhet të kujdesen që të respektojnë ligjet dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, duke përjashtuar në çdo rast mundësinë e rikthimit të të zhvendosurve në Afganistan.

Amnesty International, po ashtu, kërkon që grave automatikisht t’u njihet e drejta e azilit për shkak të qasjes së regjimit taliban ndaj tyre.

Për faktin se çfarë do të ndodhë me afganët që nuk do të jenë të përshtatshëm që të udhëtojnë për në SHBA, Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar me Departamentin Amerikan të Shtetit, Departamenti për Siguri Kombëtare, por këto institucione deri në publikimin e këtij shkrimi nuk kanë kthyer përgjigje.

Qasja në kampe mbetet e kufizuar
Po ashtu, janë të paktë personat nga institucionet e Kosovës apo ata nga organizata të ndryshme vendore, të cilët kanë vizituar refugjatët afganë. Qasje nuk kanë pasur as mediumet.

Ditë më parë, kampin Bondsteel e vizitoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Megjithatë, është një imam, i cili rregullisht viziton afganët në kampin Bondsteel – imami nga Prishtina, Labinot Maliqi, i cili njëkohësisht drejton edhe një organizatë joqeveritare të njohur si Qendra Kosovare për Paqe. Vizitat e tij, kryesisht të premteve gjatë faljes së drekës, janë organizuar nga, siç thotë, vetë ushtria amerikane.

Nga biseda me afganë, Maliqi thotë se ata nuk janë të interesuar të qëndrojnë në Kosovë shumë gjatë.

“Unë e shoh se ata veten e tyre në Kosovë e shohin se janë me qëndrim të përkohshëm. E dinë se janë vetëm transit në këtë vend. Nuk kanë ardhur të qëndrojnë përgjithmonë”, shprehet ai.

Forcat ndërkombëtare, që kanë operuar në Afganistan në 20 vjetët e fundit, janë tërhequr nga ky vend në fund të gushtit.

Rreth 60 mijë persona që ikën nga ky shtet përmes fluturimeve ushtarake të organizuara nga SHBA-ja dhe shtetet e tjera aleate, përfunduan në vende të ndryshme të botës./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!