Pranvera bjelloruse: Të gjesh shpresën në errësirë

schedule11:27 - 4 Mars, 2021

schedule 11:27 - 4 Mars, 2021

Nga Darya Mustafayeva, euobserver

Bjellorusia ishte konsideruar si një çështje e humbur për një kohë të gjatë nga ekspertët politikë. Kjo ishte sigurisht deri verën e kaluar – vera e një mrekullie shoqërore që nuk ishte parashikuar nga asnjë analist politik, studiues ose gazetar, qoftë kombëtar apo ndërkombëtar.

Këtë herë gjashtë muaj më parë, gazetat në të gjithë botën po botonin fotot e tubimeve më të mëdha publike në historinë e vendit. Ajo që ishte mbresëlënëse në imazhet e tyre, është se ata  dukeshin më shumë si një karnaval politik me lule, parulla krijuese dhe muzikë protestash.

Gjashtë muaj më vonë, lëvizja protestuese në Bjellorusi humbi talentin e saj festiv. Në vendin e famshëm për lëvizjen e saj partizane gjatë Luftës së Dytë Botërore, taktikat e protestës janë shndërruar në një rezistencë pothuajse të fshehtë, me grupe më të vogla që mblidhen në lagjet përreth qyteteve.

Komunitetet e fqinjësisë janë të vetë-organizuar dhe në mënyrë digjitale, koordinojnë organizatat përmes Telegramit. Seancat e tyre të takimit  me udhëheqësen Sviatlana Tsikhanouskaya janë bërë  hit në mediat sociale.

Taktikat kanë ndryshuar qartë si përgjigje ndaj shqetësimeve të sigurisë. Sot, ka mbi 250 të burgosur politikë në vendin me nëntë milion banorë.

Dhe ky është vetëm maja e ajsbergut – që nga gushti më shumë se 30,000 njerëz janë arrestuar, me shumë prej tyre që i nënshtrohen torturave dhe keqtrajtimeve, dhe mbi 1.000 njerëz të shënjestruar nga ndjekja penale.

Por kush janë gjykatësit?

Vetëm dy javë më parë, gazetaret Bjellorusë Katsiaryna Andreyeva dhe Darya Chultsova u dënuan me dy vite burg për shkak të disa pamjeve filmike.

Në nëntor, njerëzit u mblodhën në një lagje të famshme të Minskut për t’i dhënë lamtumirën e fundit banorit të saj të ndjerë, Raman Bandarenka – i rrahur për vdekje nga një grup civilësh të lidhur me policinë dhe administratën presidenciale.

Kjo çështje tronditi Bjellorusinë, edhe kur dukej se situata  më e vështirë kishte kaluar tashmë. Pretendimet nga autoritetet se viktima ishte në gjendje të dehur bënë që një tjetër gazetare Katsiaryna Barysevich  të hetonte për  gjendjen e tij mjekësore.

Të dy Barysevich dhe një mjek, Artsiom Sarokin, i cili konfirmoi se nuk kishte alkool në gjakun e Raman, u dënuan se zbuluan informacionin mjekësor. Ata që janë të përfshirë në vrasjen e tij ende janë të lirë dhe për habinë e familjes së tij dhe publikut të gjerë, një hetim për vdekjen e tij ka filluar dy muaj pas ngjarjes.

Këto janë vetëm disa nga çështjet dhe procedurat ligjore të Kafka-s që neglizhojnë të drejtat dhe garancitë procedurale.

Për javë me radhë, një valë gjykimesh të motivuara politikisht janë miratuar me shpërfillje të plotë të fakteve dhe shpesh logjikës, si në rastin e Hennadz Shutau i cili u gjykua pas vdekjes.

Dënimi në këto raste varion nga dënimi në kushte shtëpie deri në heqjen e lirisë nga një deri në 10 vite,  me gjyqtarët që ndjekin me përpikëri rekomandimet e prokurorit për dënimin më të ashpër.

Viktar Babaryka – Maria Kalesnikava dhe Maksim Znak – po përballen me akuza të reja dhe mund të dënohen deri në 12 vite burg. Vetë Babaryka po pret vazhdimin e seancës, pas paraqitjes së tij të parë në gjykatë.

Pankartat  bardhë-kuqe

Ndërsa njerëzit mund të burgosen, simbolet nuk mund të burgosen kurrë.

Por Aleksandër Lukashenko po përpiqet shumë. Në një përpjekje për të njollosur simbolin e protestës, një projektligj u miratua në parlament duke e konsideruar flamurin një simbol ekstremist dhe për këtë arsye ndaloi përdorimin e tij plotësisht.

Këto janë kohëra të errëta në Bjellorusi me qeverinë që shtrëngon masat si kurrë më parë. Ata po përgatiten për pranverën po aq sa bëjnë kundërshtarët e regjimit.

Shpresa e pranverës

Sado e pakët është shpresa, ekziston një dritë në fund të tunelit midis opozitës për pranverën – e cila për shumicën e Bjellorusëve fillon këtë javë – duke sjellë një valë të re protestash pasi kryengritja masive paqësore i vë autoritetet në një situatë të vështirë.

25 Marsi është Dita e Lirisë në Bjellorusi, kur opozita çdo vit mblidhet në një numër të madh për të nderuar shpalljen e Republikës Popullore Bjelloruse në 1918 . Ekziston gjithashtu një shpresë që BE do të jetë më vendimtare në politikën e saj të jashtme dhe mbështetjen për njerëzit në Bjellorusi, veçanërisht pas gabimit me vizitën në Moskë muajin e kaluar.

Vendet e BE-së kanë qenë padyshim aktivë në Bjellorusi me Tsikhanouskaya, që shihet gjerësisht si udhëheqësja legjitime. Këtë javë, ajo do të  takohet me krerët e shteteve në Portugali. Që nga gushti i vitit 2020, EEAS dhe Parlamenti Europian kanë lëshuar deklarata dhe raporte të shumta mbi Bjellorusinë dhe Komisioni Europian ka miratuar një paketë të re e cila mbështet shoqërinë civile, mediat e pavarura dhe rininë.

Sidoqoftë, ekziston një ndjenjë zhgënjimi me paketën e fundit të sanksioneve që përjashtojnë disa kompani të lidhura me regjimin dhe paketën e katërt që do të shtyhet përsëri, ndoshta deri në këtë muaj.

Ndërsa sanksionet nuk janë aspak një plumb argjendi, ato dërgojnë një mesazh të rëndësishëm për elitat, dhe është thelbësore që në listë të përfshihen gjyqtarët që japin dënime të motivuara politikisht.

Organizatat ndërkombëtare kanë nisur mekanizmat e tyre të të drejtave të njeriut për të dënuar  përgjegjësit  për shkeljet e rënda, veçanërisht ato të kryera nga forcat speciale.

Midis tyre është Mekanizmi i OSBE – së në Moskë dhe ndodhia e fundit mbi Bjellorusinë në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut . Megjithatë është herët për të parë ndonjë rezultat konkret.

Ndërsa Shkurti 2021 nuk ishte gushti i 2020, këto gjashtë muaj u kanë dhënë bjellorusëve ndjenjën e solidaritetit dhe unitetit – si brenda kufijve të Bjellorusisë ashtu edhe jashtë. Është koha që BE të tregojë unitet në qasjen e saj ndaj politikës së jashtme edhe ndaj Bjellorusisë. Përktheu Sonila Backa/abcnews.al