Resorti që shihni në këto pamje, i ndërtuar në kushtet e paligjshmërisë, ndodhet në Kepin e Rodonit. Ndërtuesi është Ardian Halili, i cili në kohën e ndërtimit të resortit, mbante postin e drejtuesit të inspektoriatit të mbrojtjes së territorit.
Ardian Halili u emërua në krye të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik të Durrësit më 7 maj 2018 dhe e mbajti këtë detyrë deri në prill 2021. Gjatë këtyre viteve që drejtonte institucionin që duhet të mos lejonte ndërtime pa leje, ishte vetë i pari që përfitoi nga posti dhe ndërtoi mbi 10 godina në zonën turistike të Shetajt, në veri të Durrësit, një nga zonat më të bukura të Adriatikut.
Policia e Durrësit vuri në pranga Ardian Halilin, ndërsa rasti zbulon se mbyllja e syve ndaj ndërtimeve pa leje, ka qenë deri në krye të institucioneve që duhej të raportonin paligjshmërinë.
Policia njoftoi se ish-zyrtari ra në pranga këtë të mërkurë nga specialistët për hetimin e Krimit Ekonomiko Financiar. Shtëpitë e pushimit janë ndërtuar pranë Kepit të Rodonit, në një zonë të rrethuar nga deti dhe hotelet e restorantet për pushuesit.
Në këto pamje shihet një sipërfaqe e konsiderueshme, me vila, pishinë dhe vende parkimi, rrethuar nga gjelbërimi, pranë rrugës kryesore të fshatit, me detin përballë.
ABC News ka mësuar se hetuesit do të analizojnë të gjithë dokumentet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës ndërsa pritet marrja e vendimit për shembjen e godinave luksoze./abcnews.al

