Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha sonte se vendi i tij do të qëndrojë kundër propozimit së Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO derisa të përmbushen kërkesat e Ankarasë që Stokholmi të mbajë një qëndrim të ashpër kundër “organizatave terroriste”.
Në një konferencë për shtyp që dha në Pragë, në margjinat e sesionit të parë të Komunitetit Politik Evropian, presidenti turk tha se “përderisa organizatat terroriste po demonstrojnë në rrugët e Suedisë dhe terroristët janë të pranishëm në parlamentin suedez, qasja ndaj çështjes nuk do të jetë pozitive.”
Në një përpjekje për të normalizuar marrëdhëniet e Ankarasë me Damaskun, Erdogan tha se nuk përjashton një takim të ardhshëm me presidentin sirian Bashar al-Assad.
“Aktualisht një takim i tillë nuk është në orar. Por nuk mund të them se është e pamundur të takohemi me Asadin”, tha presidenti turk, duke shtuar se kjo mund të bëhet “kur të vijë koha e duhur”.
Një normalizim i mundshëm i marrëdhënieve mes Ankarasë dhe Damaskut do të ndryshonte situatën në luftën civile dhjetëvjeçare në Siri. Mbështetja turke ka qenë vendimtare për rebelët në Sirinë veriperëndimore.
Forcat e Asadit, të mbështetura nga Rusia dhe Irani, shtypën rebelët në pjesën tjetër të territorit./Abcnews.al/