Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky, ka insistuar se Ukraina ka të drejtë të mbrojë veten, përfshirë edhe përmes sulmeve në territorin rus.
Kjo deklaratë vjen teksa po zhvillohet debati lidhur me kufizimet e vendosura nga Perëndimi sa i përket përdorimit të armëve, por Lipavsky e pranoi se aleatët e Pragës që e furnizojnë Ukrainën me armët më të sofistikuara përballen me “dilema strategjike”.
Duke folur gjatë ditës së dytë konferencës për siguri, Globsec, që po mbahet në Pragë, kryediplomati çek tha se po ashtu e pranoi se “ka shumë vështirësi dhe shumë disavantazhe” që aleatët të kenë të njëjtin mendim.
“Republika Çeke ka një qëndrim shumë të thjeshtë: Ukraina është viktimë e agresionit dhe sipas Kartës së OKB-së, agresori ka të drejtë të mbrojë veten”, tha Lipavsky për Radion Evropa e Lirë.
“Kjo mbrojtje, logjikisht mund të kryhet edhe në territorin e agresorit. Kjo nënkupton se Republika Çeke nuk ka asnjë kufizim sa i përket sistemeve, armëve apo municioneve që furnizon ushtrinë ukrainase”, tha ai.
Presidenti i Çekisë, Petr Pavel, dhe shefi në largim i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, një ditë më parë u deklaruan kundër heqjes dorë nga kufizimet e vendosura se si Ukraina mund të përdorë armët që i janë dhuruar.
Me Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë, që thuhet se kanë vendosur kufizime të tilla, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, vazhdimisht u ka bërë thirrje atyre dhe të tjerëve që të ndërmarrin “hapa vendimtarë” që Ukrainës t’i lejohet të shënjestrojë brenda teritorit të Rusisë me armët që ai ka ofruar Perëndimi.
Më herët gjatë këtij muaji, Ukraina nisi një ofensivë brenda territorit rus dhe Zelensky tha se Rusia “duhet të ndiejë at që ka bërë”.
“Në anën tjetër, tha Lipavsky, “le të jemi realist në atë se sistemet më të sofistikuara të armëve, që mund të kenë rreze të gjatë veprimi, apo thënë thjesht, këto furnizime nuk shkojnë nga Republika Çeke. Kjo nënkupton se ne nuk përballemi me dilema që kanë disa nga aleatët tanë”.
Sulmet ajrore ruse kanë dëmtuar infrastrukturën e energjisë dhe infrastrukturën tjetër të Ukrainës dhe kanë shkaktuar numër të madh të viktimave civile gjatë dy vjetëve e gjysmë luftë./rel