Inter do të ndeshet në San Siro me Milanin të martën mbrëma, ndeshje e jashtëzakonshme në kuadër të gjysmëfinales së kthimit në Champions League. Në konferencën për shtyp, trajneri zikaltër, Simone Inzaghi, u shpreh se akoma nuk ka përfunduar asgjë dhe ekipi i tij do të bëjë të pamundurën për të qenë në finale.
“U zhgënjyem nga shorti në gusht, sepse nuk kishim shumë fat, por në të njëjtën kohë i thashë stafit dhe lojtarëve se as Barça me Bayern nuk ishin të lumtur. Nesër do të jetë një hap shumë i rëndësishëm.
Çfarë kërkoj nga tifozët? Nesër nuk kam asnjë dyshim, ata kanë qenë gjithmonë me ne në çdo moment, të mirë dhe në të keq. Të gjithë e dinë se çfarë është në gjendje tifozeria e Interit të dhurojë në tribunë, dhe nesër ne e presim dyfish më shumë se asnjëherë atë performancë të tyre.
Lautaro dhe Correa? Correa më kërkoi vetë të zëvendësohej. Unë nuk do ta bëja sepse po më kënaqte me performancën e tij, le të shpresojmë që nuk ka asgjë serioze. Gjendja duket e mirë, por ne do të shohim gjatë stërvitjes së sotme dhe të nesërme. Sa i përket Lautaros, ai është në një gjendje të shkëlqyer.
A ndihemi të qetë? Ne e dimë që nesër është një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e Interit. Ne e dimë që nesër do të kemi një avantazh të merituar, por ne nuk duhet vetëm ta menazhojmë atë. Ne duhet të luajmë si Interi, duke e ditur që përballë do të kemi një skuadër shumë të fortë.
A është Lukaku në formën e tij si dy sezonet e para me Interin? Ju e njihni atë dhe ju e dini se çfarë mund të bëjë ai. Është ajo që ne prisnim gjatë këtij viti, por fatkeqësisht një dëmtim i ndodhi atij dhe Brozovic që na hoqi dy nga lojtarët tanë më të rëndësishëm. Por çfrarë po shihni është një Lukaku që është rikthyer në formën e tij më të mirë, tre ndeshje brenda një jave. Nuk e di nëse ai mund t’i përballojë ato dhe as nuk e di nëse do të na japë të njëjtën performancë si në sfidat me Romën dhe Sassuolo.
Si do ta përballojmë një bishë të plagosur si Milani? Ne e dimë që kemi një avantazh, të cilin ndoshta nuk mund ta menaxhojmë. Duhet të luajmë si Interi, duke u përpjekur të hidhemi në fushë në formën më të mirë të mundshme.
Arbitrat? Unë rrallë flas për këtë gjë. Në ndeshjen e parë ishte një episod që mund të kalonte në një mënyrë tjetër dhe këtu flas për ndërhyrjen e Krunic ndaj Bastonit brenda zonës. Do t’i jepter ndeshjes një tjetër kuptim. Nuk ndodhi kështu dhe nuk ka asnjë problem. Shumë persona më kanë thënë se do të jetë shumë problem që një ekip arbitrash francezë do të gjykojnë ndërkohë që Milani ka shumë francezë në ekip, por nuk ka problem, ne nuk do të mendojmë këtë gjë”, është shprehur Simone Inzaghi./h.ll/abcnews.al