Një postim në “Instagram” nga ana e Gareth Bale shkaktoi shumë polemika në Angli. Trajneri i Tottenham, Jose Mourinho, e la jashtë ndeshjes së mesjavës kundër Everton për shkak se ishte i dëmtuar, por uellsiani mesa duket ka qenë më në formë se kurrë.
Në ditën e ndeshjes lojtari në pronësi të Real Madrid postoi një foto gjatë një seance stërvitore dhe e shoqëroi me fjalët: “Një seancë e mirë stërvitore sot”. Mirëpo, ka qenë vetë “Special One” që ka hedhur poshtë këtë postim, duke sqaruar edhe një herë situatën.
“Më duhet ta pranoj se postimi i tij e vuri atë në qendër të vëmendjes. Por, kishte një kontraditë mes atij postimi dhe realitetit. Që nga fillimi i sezonit, nga marrëdhënia me lojtarët e për çdo gjë jam munduar që të mos bëj asgjë publike, por duhet ta sqaroj këtë situatë”, deklaron portugezi.
“Ndoshta postimi nuk është një përgjegjësi e tij, këtë nuk e di. Unë di të them se ai postim është totalisht gabim. Situata është siç e kam thënë dhe po e ripërsëris për të disatën herë. Bale nuk po ndihej mirë dhe kërkoi të bënte një skan.
E bëri dhe ajo nuk nxorri ndonjë dëmtim, por ai ndiente diçka. Trajneri dhe stafi mjekësor nuk mund të dalin kundër ndjenjave sepse janë ato që kanë rëndësi. Kështu që ai nuk ishte gati për Evertonin. Është kaq e thjeshtë. Nëse Gareth do të jetë gati për nëser, sigurisht që do të grumbullohet”, përfundon Mourinho. /abcnews.al