Portugalia refuzon ligjin për dekriminalizimin e eutanazisë

schedule21:54 - 30 Janar, 2023

schedule 21:54 - 30 Janar, 2023

Gjykata Kushtetuese e Portugalisë hodhi poshtë, për herë të dytë, ligjin që dekriminalizon eutanazinë në vend, duke e quajtur si të paqartë dhe të papranueshëm në dispozitat e tij.

Tashmë projektligji kthehet në Parlament, i cili prej tre vitesh po përpiqet të hartojë dhe miratojë ligjin përkatës.

Gjyqtarët vendosën se teksti nuk ishte në përputhje me Kushtetutën sepse nuk përcaktonte saktësisht dhimbjen ekstreme për vdekjen e asistuar mjekësor të pacientit, thanë ata në një deklaratë për mediat.

E njëjta gjykatë e kishte hedhur poshtë ligjin edhe në mars 2021, duke konsideruar se termat e përdorur në projektligj ishin “tepër të pasakta”.

Parlamenti mund ta riformulojë projektligjin dhe ta dërgojë sërish për miratim tek Presidenti i Republikës, konservatori Marcelo Rebelo de Souza.

Ligjvënësit fillimisht votuan për dekriminalizimin e eutanazisë në shkurt 2020, por ligji hasi kundërshtime nga Presidenti, i cili ishte një katolik i devotshëm dhe ish-profesor i drejtësisë, dhe kishte vënë veton ndaj një versioni të mëparshëm të ligjit.

Deputetja socialiste Isabel Moreira komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke thënë se ai ishte bazuar në një detaj teknik dhe se shumica e argumenteve të Presidentit të Republikës nuk u pranuan. Nëse bëhet fjalë për korrigjimin e një fjale, ne jemi këtu për ta bërë atë, tha ajo.

Pak vende evropiane, si Belgjika dhe Holanda, e kanë legalizuar eutanazinë deri më sot. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!