Ruzhdi Keraj është një nga ata artistë që nuk e vendos dot brenda një kornize të vetme. Piktor, kompozitor, këngëtar dhe shkrimtar, ai ka ndërtuar një rrugëtim të gjatë në art, duke lënë gjurmë në shumë fusha të krijimtarisë.
“Unë nuk shkruaj si shkrimtar, nuk shkruaj si poet, nuk kompozoj si kompozitor, nuk pikturoj si piktor…”
Kjo mënyrë e të shprehurit e përkufizon më së miri Ruzhdi Kerajn: një artist shumëdimensional, për të cilin arti nuk është profesion, por domosdoshmëri.
“Vendos veten, emocionet e mia. Nuk është të fitoj simpati. Unë shprehem, shpalos veten dhe emocionet e mia”
Ruzhdiun e gjen çdo ditë në kafen e tij të preferuar, në krah të bashkëshortes së tij, Mjaftore Keraj, një mësuese e njohur në Kurbin. Të dy flasin me pasion për artin, për jetën dhe për rrugëtimin e përbashkët që nis që nga rinia.
“Ky është libri i 13-të. Jam autor i 13 librave. Nuk jam ndonjë autor i famshëm, por shkruaj për pasionin tim”
Jeta e tij artistike lidhet ngushtë me qytete dhe institucione që kanë shënuar formimin e tij.
“Në Rubik kam ndenjur 30 vjet. Në Laç erdha kur isha student. Kam marrë pjesë në shumë ansamble, kam qëndruar në krah të shumë personaliteteve. Në Laç gjeta një ambient që e njihja dhe filluam të bënim shumë aktivitete”
Teatri, ansamblet, Pallati i Kulturës, vende ku arti merrte jetë përmes bashkëpunimit dhe përkushtimit.
“Takimet për teatrin, për ansamblin… tek Pallati i Kulturës kemi bërë shumë evente. Bashkëpunimet kanë qenë shumë të mira. Drejtori i fundit i Pallatit të Kulturës kam qenë unë, derisa ika në Radio Tirana”
Një tjetër kapitull i rëndësishëm i jetës së tij profesionale ishte Radio Tirana, aty ku u përball me arkivën e pasur të muzikës shqiptare.
“Në Radio Tirana kam punuar si përgjegjës arkive. Kam sistemuar të gjitha punimet e kompozitorëve. Ka qenë një punë e bukur”
Piktura, ashtu si muzika dhe letërsia, mbetet një tjetër gjuhë e tij e shprehjes.
“Jam marrë edhe me pikturë. Ishte një mjedis i bukur, kam qëndruar krah shumë piktorëve. Unë jam piktor, por nuk quhem dot piktor. Çdo profesion kërkon shkollim, për mua është nevojë. Unë s’rri dot pa pikturuar, pa shkruar, pa u ulur te pianoja”
Dashuria për muzikën nis herët, që në fëmijëri, dhe e shoqëron gjatë gjithë jetës.
“Kam filluar të shkruaj muzikë që në fillore. Bëra Institutin e Arteve, mora pjesë në festivale, në një periudhë kur festivali nuk transmetohej në televizion. Kam marrë pjesë në koncerte të mëdha dhe kam fituar çmimin e parë me një këngë që u bë hit asokohe”
Në këtë rrugëtim, një mbështetje e fortë ka qenë gjithmonë bashkëshortja e tij.
“Po ta shikosh titullin e librit ‘Të kam në lot’, është titull intrigues. Loti është hidhërim, është gëzim, optimizëm, entuziazëm, është gjithçka. Lidhet me brendësinë e gjendjes shpirtërore të njeriut.
Për Mjaftoren, Ruzhdi Keraj mbetet i njëjtë në çdo formë arti që prek.
“Ruzhdiu është vetvetja si në këngë, në poezi, ashtu edhe në pikturë. Ai imiton botën e tij dhe shprehet. Libri nis me prezantimin e tij, pastaj me poezi që të kthejnë te vendlindja. Çdo poezi është një nën-temë më vete”, tha Mjaftore Keraj, mësuese.
Një artist që nuk i shmanget ndryshimeve, por i sheh ato me syrin kritik të krijuesit.
“Është e vështirë të ballafaqohesh me disa ndryshime. Jo se Ruzhdiu s’e pranon të renë, por shprehet kritik ndaj asaj që nuk përshtatet”, tha ajo.
I nderuar me titullin “Nderi i Kurbinit” dhe me shumë vlerësime të tjera, Ruzhdi Keraj vazhdon të krijojë, sepse për të arti nuk është zgjedhje, por mënyrë jetese.


