“Porti i ri i Porto Romanos, 15 kompani ndërkombëtare në garë”, Balluku: Do i shërbejë Kosovës e Maqedonisë së Veriut

schedule10:27 - 30 Korrik, 2024

schedule 10:27 - 30 Korrik, 2024

Hapet gara për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, një nga projektet më të rëndësishme strategjike për ne dhe rajonin, që i përgjigjet gjithashtu edhe fluksit gjithmonë e në rritje duke zgjeruar kapacitetet përpunuese.

Ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku nga Durrësi, u shpreh se në garë për portin do të jenë 15 kompani ndërkombëtare.

Më tej ajo theksoi se ky port do i shërbejë shqiptarëve jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Sot është një ditë tjetër e veçantë për ne dhe them e veçantë dhe e shënuar, pasi ky ka qenë një vit i shkëlqyer përsa i përket gurëve kilometrikë që kemi vendosur në infrastrukturën shqiptare. Një vit i veçantë ku janë realizuar projekte historike të cilat do të jenë aty për të ngritur themelet e Shqipërisë 2030.

Tuneli i Llogarasë, një ëndërr në sirtar, e cila ka qenë premtim i çdo qeverie, i pa mbajtur, por që sot është një realitet që shqiptarët po e prekin, ashtu si edhe Korridori Blu me segmentin e tij të parë, Thumanë-Kashar dhe që shumë shpejt në ditët në vazhdim do t’i bashkohen dhe kontratat e reja të cilat janë negociuar dhe janë gati për firmosje, për të plotësuar segmentet e tjerë që do të lidhin Shqipërinë me Malin e Zi dhe me Greqinë.

Ndërkohë, duhet thënë që ky vit, me të vërtetë është një vit shumë i rëndësishëm për ne, por viti që do të vijë do të jetë akoma më i rëndësishëm për të gjithë punët dhe detyrat që kemi vënë përpara. Megjithatë, përpara se të përfundojë 2024, ne do të dorëzojmë edhe 3 projekte të mëdha, që është projekti i Aeroportit të Vlorës, një ëndërr tjetër e shqiptarëve për të patur një portë tjetër nga ajri në jug të vendit. Unaza e Madhe e Tiranës e cila quhet Unaza e Tiranës, por është një unazë e rëndësishme infrastrukture, e cila do të lidhë të gjithë autostradat e vendit me kryeqytetin. Dhe padyshim, tuneli i Murrizit, që është si ai Unicorni Eleonorë, i pakapshëm prej shumë vitesh, dhe ndërkohë që dorëzonim tunelet e tjera të rrugës së Arbrit, tunelin e Skërficës apo tunelin e Llogarasë, vazhdonim dhe punonim intensivisht në atë tunel si për të na sfiduar për kapacitetet tona inxhinierike dhe teknike. Por, sigurisht do t’ia dalim dhe 31 dhjetori i 2024 do të jetë përmbushja e shumë prej ëndrrave historike të shqiptarëve.

Ndërkohë, sot çelja e garës për ndërtimin e Porto Romanos është një nga momentet më të veçanta në ndërtimin e infrastrukturës portuale të vendit, që do të shënjojë këtë rrugëtim ambicioz të Qeverisë Rama për Shqipërinë 2030. E kemi quajtur porti i shqiptarëve, pasi ky port nuk do t’i shërbejë vetëm Shqipërisë, por do t’i shërbejë edhe Kosovës, edhe Maqedonisë së Veriut, i lidhur përmes hekurudhës me dy porte të thata, përkatësisht në Prishtinë dhe në Strugë.

Në bashkëveprim me NATO-n kemi nisur prej kohësh të punojmë për financimin e zonës portuale ushtarake të Porto Romanos, çka jo vetëm do të forconte ndjeshëm dimensionin e sigurisë së Shqipërisë, por edhe rolin e vendit tonë në hapësirën e aktivitetit të NATO-s. Me ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano, ne do të bëjmë realitet premtimin për t’i dhënë Durrësit dhe Vlorës, dy porte secilit qytet. Portet komerciale dhe sigurisht marinat detare, por nuk do të ndalojmë këtu pasi Saranda dhe Lezha do të jenë ato që pasojnë dhe vijojnë axhendën tonë të infrastrukturës.

E thënë kështu, duket si një rrugë e lehtë dhe si një rezultat që do të vijë shpejt, por unë dua të ndaj me ju që sot, këtu kurorëzohen 4 vite punë. Katër vite punë intensive, nga një ekip i gërshetuar prej ekspertësh numri i tyre arrin deri në 100. E diskutonim mbrëmë me Pirron duke i kaluar të gjithë ato momente dhe duke kujtuar se kush janë të gjithë ata njerëz që kanë kontribuar për të arritur sot në këtë ditë. Janë mbi 420 mijë orë pune, një mal me analiza dhe studime që po të vendosnim këto letra A4 t’i shtrinim në bregdetin shqiptar, ndoshta nuk do të mjaftonte.

Dhe ja ku jemi sot me 15 kompani ndërkombëtare, të cilat kanë shprehur interes për të qenë pjesë e garës, dhe padyshim duhet të them se 5 prej tyre ndoshta edhe më shumë, janë kompani nga më prestigjiozet në Europë.

Ky interes na nderon padyshim. Dhe na vë në kushtet e një përgjegjësie të madhe, por fillimisht më lejoni t’ju them se cilat janë arsyet që kjo sipërmarrje është jo vetëm e dobishme për vendin tonë, por unë do ta quaja jetike për ekonominë dhe për zhvillimin e Shqipërisë, madje të të gjithë rajonit. Këtë do t’ua shpjegoj më qartë një nga bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë, Erik Smit, drejtues i ekipit të konsulentëve të Royal Haskoning me të cilin e kemi bërë këtë rrugëtim nga dita e parë, dhe që unë kam kënaqësinë e madhe të them se Eriku dhe skuadra e tij do të jenë me ne edhe në vazhdim për të bërë një proces shumë të rëndësishëm që është ai i vlerësimit të ofertave dhe i mbikëqyrjes së tyre më pas.

Dua të them pak fjalë pse kjo vepër infrastrukture është kaq e rëndësishme. Pasi duam të ndërtojmë një port dyfish më të thellë se ai që kemi sot në qytetin e Durrësit, duke i dhënë kështu Shqipërisë, mundësinë për t’u kthyer në një hab në mes të Mesdheut dhe për t’i shërbyer jo vetëm vendit, por edhe të gjithë rajonit. Nga ana tjetër, duam të ndërtojmë një terminal kontenierësh trefish më të madh të gjelbër dhe të automatizuar. Duam të ndërtojmë sipërfaqe të dedikuara për entet ligjzbatuese të cilat duhet të operojnë në territorin portual të Porto Romanos në komoditet të plotë, për të përmbushur detyrat e tyre. Duam të zhvillojmë një infrastrukturë detare që hedh bazat për një zhvillim të mëtejshëm sa herë që do na duhet të rrisim kapacitete dhe për të mos qenë të ngurtë dhe të kufizuar nga territori. Duam gjithashtu që të ngremë një infrastrukturë e cila do të sigurojë mundësinë e ndërtimit të një baze autonome detare në kuadër të bisedimeve tashmë të maturuara me aleatët tanë në NATO. Dhe e fundit, por jo nga rëndësia, duam të ndërtojmë një zonë logjistike, për të tërhequr investitorë të huaj në zemrën e aktivitetit tonë ekonomik dhe industrial.”, u shpreh Balluku.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!