Porosia e komisionerit Hahn për kryeministrin maqedonas Zaev

schedule16:27 - 20 Nëntor, 2017

schedule 16:27 - 20 Nëntor, 2017

Komisioneri Europian për zgjerim Johanes Hahn porositi kryeministrin maqedonas Zoran Zaev se vendi i tij ka ende shumë punë për të bërë në rrugën drejt BE-së. Nga ana tjetër kreu i qeverisë maqedonase në konferencën e përbashkët për shtyp u shpreh se do të punojë në përmbushjen e kritereve.

Komisioneri Europian për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Hahn, nisi vizitën e tij dy-ditore në Maqedoni me një takim me kryeministrin Zoran Zaev dhe disa ministra të qeverisë së tij. Pas bisedës ata mbajtën edhe një konferencë për shtyp. Zyrtari europian porositi ekzekutivin e Maqedonisë duke thënë se ka ende shumë punë për të bërë lidhur me rrugën drejt integrimit në Union. Hahn ka pranuar se Maqedonia ka bërë progres me reformat dhe për këtë arsye Komisioni Europian dhe vendet anëtare të BE e shohin më pozitivisht vendin dhe mundësinë për nisjen e bisedimeve. Megjithatë ai pati një apel edhe për opozitën.

Johannes Hahn, komisioner Europian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë: “Nuk jam naiv, prej shumë vitesh jam në politikë. Qëllimi do të arrihet nëse të gjithë lëvizin në drejtimin e duhur. I bëj thirrje opozitës që të jetë kritike në mënyrë konstruktive me qëllim që të arrihen të gjitha datat për përparimin e nevojshëm”.
Nga ana tjetër, Zaev në konferencën e përbashkët për shtyp u shpreh se Shkupi ndodhet në një fazë kyce për përmbushjen e detyrimeve që do të hapnin bisedimet për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.

Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë: “Reforma në gjyqësor duhet të krijojë hapësirë për gjyqësor të pavarur e cila do ta çrrënjosë korrupsionin dhe do ta kthejë besimin e qytetarëve në gjyqësorin e pavarur. Do të miratohet reforma në gjyqësor me plan aksionar në përputhshmëri me Komisionin Evropian. Kapacitetet e Avokatit të Popullit do të rriten”.
Gjithashtu Zaev shtoi se po punohet në mënyrë intensive me Greqinë për të zgjidhur çështjen e emrit. Ndërsa Han bëri me dije se ligji për gjuhën shqipe, që kundërshtohet ashpër nga opozita, nuk është ndër reformat që kërkohen nga BE-ja. Ndërkohë, eurokomisioneri është pritur në Shkup edhe nga kryeparlamentari, Talat Xhaferi. “Parlamenti ka një rol kyç në rrugën e vendit për në BE. Duhet të shoh rezultate legjislative të prekshme mbi dosjet kryesore për të mundësuar që Komisioni i BE-së të rekomandojë tryezën”, shkruan Han në një postim në tuiter ku pasqyrohet takimi me Xhaferin. Ndërkohë, zyrtari europian është takuar edhe me dy partnerët e koalicionit qeverisë të Zaev. Po me anë të Tuiterit, Han njofton se zhvilloi një takim shumë të mirë me kreun e BDI, Ali Ahmeti dhe liderin e Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!