Poroshenko: Jemi në prag lufte

schedule23:57 - 27 Nëntor, 2018

schedule 23:57 - 27 Nëntor, 2018

Presidenti Petro Poroshenko ka deklaruar se Ukraina dhe Rusia rrezikojnë të hyjnë në një luftë totale mes tyre. Pas incidentit të së dielës në ujërat e Krimesë, Poroshenko ka deklaruar se konflikti dypalësh Kiev-Moskë nuk është më një lojë fëmijësh.

Presidenti ukrainas Petro Poroshenko akuzoi të martën Rusinë se ka përforcuar në mënyrë drastike praninë e saj ushtarake në kufirin me Ukrainën, duke rritur rrezikun për një luftë totale.

“Numri i tankeve të vendosura në bazat ruse përgjatë kufirit tonë është trefishuar dhe po ashtu numri i njësive ushtarake”, deklaroi Poroshenko për 3 televizione ukrainase.

Gjithashtu, kreu i shtetit foli për një rritje të ndjeshme edhe të numrit të anijeve ushtarake ruse në detin Azov, si dhe në Krime, gadishulli i aneksuar nga Moska 4 vjet më parë.

“Që prej vitit 2014, numri i ushtarëve në Krime është trefishuar, ai i armatimeve është pesëfishuar, ndërsa ai i artilierive është thuajse dhjetëfishuar”, saktësoi Poroshenko, duke cituar të dhënat e shërbimeve sekrete.

Ai theksoi se kjo nuk është një lojë fëmijësh dhe paralajmëroi se Ukraina po përballet me rrezikun për një luftë totale me Federatën Ruse. Që prej së dielës, kur Rusia sekuestroi 3 anije ukrainase në ujërat e Krimesë dhe arrestoi ekuipazhet e tyre, Kievi dhe Moska kanë akuzuar njëri-tjetrin për përgjegjësinë.

Të martën, lidhur me incidentin, ndër më të rëndët që nga nisja e konfliktit dypalësh, presidenti rus Putin zhvilloi një bisedë telefonike me kancelaren Merkel, të cilën e informoi me variantin e tij mbi ngjarjen. Sërish të martën, Kremlini nuk ua vuri veshin thirrjeve të Brukselit për të liruar 3 anijet dhe 24 marinarët, duke deklaruar se kishte vepruar në përputhje me të gjitha ligjet. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!