Popullsia shqiptare drejt plakjes

schedule17:33 - 19 Shkurt, 2019

schedule 17:33 - 19 Shkurt, 2019

Popullsia shqiptare po shkon drejt plakjes. Sipas të dhënave më të fundit të Institutit të Statistikave është rritur numri i personave mbi 60 vjeç, ndërsa po pakësohet numri i atyre nën 20 vjeç. Ky institut vë në dukje se këtë vit në Shqipëri ka rreth 31 mijë persona të grupmoshës 0 -24 vjeç më pak se vitin e shkuar.

Të moshuarit në vendin tonë shumë shpejt do të dominojnë parqet dhe rrugët. Këtë e dëshmon piramida e popullsisë, e cila sa vjen e ngushtohet në bazë e zgjerohet në majë. Janarin e këtij viti popullsia nga 0 ne 24 vjeç sipas Instititutit te Statistikave ra me mbi 31 mijë persona në raport me një vit më parë ndërkohë që ajo mbi moshën 55 vjeç u rrit me rreth 30 mijë vetë. Pëllumbin e takuam rastësisht në parkun “Rinia” në Tiranë. Na tregon se jeton vetëm pasi të tre fëmijët i kanë emigruar në Greqi ku dhe kanë krijuar familjet e tyre.

Pëllumbi: Jashtë i kam në Greqi. Dy çunë një gocë.

Pyetje: Mendojnë të rikthehen?

Pëllumbi: Janë martuar kanë krijuar familje andej dhe vështirë. Ne që jemi si të vjetër këtu duam, por është e pamundur, sepse nuk kanë asnjë të ardhme, s’kanë me ça të merren.

Veç emigracionit një tjetër fenomen që ka ndikuar në ndryshimin e strukturës së popullsisë në vendin tonë është dhe rënia e lindjeve. Sonila është një nënë e re që dëshiron të ketë një familje te madhe. Megjithëkëtë na tregon se pa u rritur vajza një-vjeçare nuk mendon të bëjë një tjetër fëmijë.

Sonila: Tani shpejt jo sepse fëmija do përkushtimin e vet, do kohën e vet. Të paktën të shkojë kjo në kopësht, dhe të mendojmë për një fëmijë tjetër.

Pyetje: Punoni?

Sonila: Aktualisht jo por së shpejti do angazhohem sepse edhe unë kam mbaruar një shkollë dhe nuk mund të rri tërë ditën në shtëpi. Ekonomia zë një pjesë kryesore, kështu që fëmija do kushtet, ka shpenzimet e veta.

Arsyet ekonomike janë ato që kryesisht detyrojnë familjet të kenë më pak fëmijë. Në vitin 2018, Instituti i Statistikave raporton se numri i lindjeve ra me 6.3% krahasuar me vitin paraardhës. Ndërsa pesha e grupmoshës nga 60 deri në 64 vjeç në totalin e popullsisë u rrit me 0.24%./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!