Ponari: Sezoni i basketbollit do mbarojë. Shteti? Kemi vetëm një kërkesë

schedule18:44 - 14 Prill, 2020

schedule 18:44 - 14 Prill, 2020

Koronavirusi ka prekur çdo sektor. Futbolli është më i ndjekuri, por garë ka edhe në sportet e tjera. Presidenti i Federatës së Basketbollit Shqiptar, Avni Ponari tregon problemet që ka shkatuar pandemia botërore në lidhjen e bërë me emisionin “Studio Sprint” në ABC News, konfirmon që ky sezon do përfundojë dhe ndalet tek e ardhmja.

Situata njihet nga të gjithë. Edhe basketbolli gjendet përballë sfidës së madhe, pandemisë. Është e rëndësishme të themi që ky sport ka filluar të mbyllë aktivitetet. Disa shtete kanë mbyllur kampionatet dhe kanë lajmëruar Federatat. FIBA (Federata Ndërkombëtare e Basketbollit) ka qenë pranë Federatave, ka dhënë udhëzime dhe këshilla. Edhe ne kemi qenë afër shoqatave, duke dhënë udhëzimet e duhura se si ta kalojnë këtë moment.

Shoqatat e basketbollit kanë jo vetëm lojtarë vendas, por edhe të huaj, të cilët kanë rritur cilësinë e basketbollit shqiptar. Pjesa dërrmuese e tyre është larguar jashtë vendit, të tjerët qëndrojnë në shtëpi dhe bëjnë stërvitje e disa përgatitje të nevojshme. Ne kemi marrë një vendim me kryesinë që kampionati të mos konsiderohet i mbyllur. Kemi propozuar të vazhdojë me ndeshjet e mbetura dhe pastaj ndeshjet play off. Kjo do i bëjë mirë basketbollit shqiptar, pasi do kemi një skuadër kampione.

Dihet që të gjitha sportet, veçanërisht basketbolli, volejbolli, jetojnë me donacione. Sapo është ndarë granti i Ministrisë së Arsimit, një grant natyrisht i vogël, pak më shumë se vitin e kaluar, rreth 100 mijë euro. Nuk është i mjaftueshëm për zhvillimin e gjithë aktiviteteve që kemi planifikuar, edhe pse një pjesë janë pezulluar nga FIBA, por ne do vazhdojmë me aktivitete të tjera.

Shteti? Ajo që i kemi kërkuar shtetit ka qenë miratimi i ligjit për sponsorizimet, ligj shumë i rëndësishëm. Kjo do bënte ngritjen e basketbollit në Shqipëri. Kishim planifikuar aktivitete për 7 ekipe kombëtare, 5 ekipet e moshave dhe 2 ekipet e të rriturve. Një pjesë do pezullohen, të tjerat pritet të pezullohen. Aktiviteti do bazohet në një program të ri që presim të vijë nga FIBA”, përfundon Ponari. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!