Pompeo: Ndaj Iranit, sanksionet më të ashpra në histori

schedule19:50 - 21 Maj, 2018

schedule 19:50 - 21 Maj, 2018

Administrata amerikane ka paralajmëruar vendosjen e sanksioneve më të ashpra në histori ndaj Iranit. Duke paralajmëruar Republikën Islamike për pasoja të rënda nëse nuk ndryshon kurs politik, sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, ka kërkuar edhe ndihmën e aleatëve europianë.

Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo kërcënoi të hënën se do të vendosë sanksionet më të ashpra në histori kundër Iranit, nëse vendi nuk ndryshon kursin e politikës së brendshme dhe asaj të jashtme. Disa javë pasi Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja ndërkombëtare për programin bërthamor, Pompeo u shfaq me një qasje të ashpër ndaj Republikës Islamike, duke e vënë theksin tek bashkëpunimi me Pentagonin dhe aleatët rajonalë për t’i vënë fre ambicjeve të Teheranit.

Shefi i diplomacisë amerikane publikoi 12 kërkesa për Iranin dhe theksoi se politikat shtrënguese do të lehtësohen vetëm atëherë kur Uashingtoni të shohë ndryshime serioze në politikat e Iranit. Pompeo theksoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të mbajnë qëndrim edhe për ata që tregtojnë produkte të ndaluara me Iranin. Kërcënimi i tij vjen në një kohë kur vendet Europiane, Gjermania, Franca dhe Britania po punojnë për ta shpëtuar marrëveshjen me Republikën Islamike pas tërheqjes së Amerikës.

Sekretari i Shtetit nënvizoi se Uashingtoni është i hapur për një traktat të ri dhe në këtë drejtim kërkoi mbështetjen e aleatëve perëndimorë. Më herët gjatë muajit, presidenti Donald Trump njoftoi tërheqjen nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, të cilën e cilësoi “të tmerrshme” dhe tha se nuk e kishte ndaluar Teheranin të vijonte programin e tij të pasurimit të uraniumit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!