Sekretari i Shtetit i SHBA Mike Pompeo ka kritikuar veprimet e njëanshme të Turqisë ndërsa e përshkruan Greqinë si “një shtyllë të stabilitetit në rajon”, në një letër për ministrin e Jashtëm grek Nikos Dendias. Në letrën e tij, Pompeo përsërit qëndrimin ndaj kërkimeve të Turqisë për energji në zonat ku Greqia sipas saj ka të drejtë të zgjerojë ujërat territorialë nga 6 në 12 milje.
“Këto veprime të njëanshme shërbejnë vetëm për të rritur tensionet në rajon. Shtrëngimi, kërcënimet, dhe aktiviteti ushtarak nuk do të zgjidhin tensionet në Mesdheun Lindor”, shprehet Pompeo.
Duke përshëndetur angazhimin e Greqisë për zgjidhjen e dallimeve dypalëshe përmes dialogut dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar, Pompeo gjithashtu përgëzon Athinën për ndërmarrjen e të gjitha hapave të nevojshëm “për të shmangur një ngjarje tjetër në det që mund të çojë në një konflikt midis aleatëve të NATO-s”. Pompeo thekson se SHBA dhe Greqia ndajnë një vizion lidhur me Mesdheun Lindor “si një rajon paqësor i karakterizuar nga bashkëpunimi dhe respektimi i ligjit ndërkombëtar”.
“Ne kemi nxitur dhe do të vazhdojmë të nxisim aleatin tonë të NATO-s Turqinë që t’i japë fund provokimeve të saj të llogaritura dhe të fillojë menjëherë bisedimet me Greqinë,” përfundon ai./mv.abcnews.al