Poloni-Izrael, Presidentët marshojnë bashkë ditën e Holokaustit

schedule22:12 - 12 Prill, 2018

schedule 22:12 - 12 Prill, 2018

Presidentët e Polonisë dhe Izraelit kanë ulur tensionet diplomatike mes dy vendeve, të krijuara nga ligji kontradiktor i polakëve për Holokaustin. Ata kanë marshuar së bashku në kampin e Aushvicit, në ditën që përkujton përndjekjen e hebrenjve.

Presidentët e Polonisë dhe Izraelit kanë lënë mënjanë polemikat dhe kanë marshuar së bashku në kampin e përqendrimit të Aushvicit. Palët kishin parë marrëdhëniet të ftoheshin pas miratimit të një ligji nga qeveria polake, që e cilësonte krim sugjerimin se polakët kishin qenë bashkëpunëtorë në përndjekjen e hebrenjve.

Andrzej Duda dhe Rojven Rivlin u bashkuan me rreth 15 mijë persona, shumica e të cilëve hebrenj të ardhur nga vende të ndryshme të botës, dhe përshkuan 3 kilometra rrugë, që nga hyrja e kampit që mban parullën famëkeqe “Puna të bën të lirë”.

Uniteti i treguar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit mund të ndihmojë në uljen e tensioneve diplomatike të krijuara nga ligji kontradiktor. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Rivlin tha se Izraeli i respekton ato që i quajti “kërkimet shpirtërore” të palës polake.

“Por për disa gjëra nuk biem dakord. Ne kërkojmë që Polonia të bëjë një kërkim të plotë sa i takon Holokaustit”, tha Presidenti izraelit.

Nga ana tjetër, homologu Duda tha se nuk ishte qëllimi i shtetit të tij të kufizonte rëndësinë e Holokaustit.

“Përkundrazi, ne dëshirojmë ta mbrojmë të vërtetën historike, përfshirë ato pjesë që për polakët nuk janë të pranueshme. Në qëndrimin tonë nuk ka patur kurrë një qëndrim armiqësor ndaj hebrenjve”, tha Presidenti polak./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!