Politologu Ermal Hasimja thotë se Partia Demokratike po shkon drejt ndarjes në dy parti të tjera. I ftuar në Radarin Informativ në ABC, Hasimja deklaroi se një tjetër skenar është që pas ndarjes PD të bashkohet në një federatë të partive të djathta por duke ruajtur secila pavarësinë e saj nga tjetra.
“Tani të gjitha palët çdo gjë që bën tjetri e bën si provokim. Është një situatë që nuk do harrohet dhe nuk mund të zgjidhet me fitoren e njërit mbi tjetrin. Njëri do mbajë logon. Por tjetri nuk ka për të dalë nga politika. Do ketë dy parti por me shumë gjasa njëra prej tyre nuk do quhet PD.
Është e vështirë të kuptosh se çfarë po ndodh. Duhet të futen në lojë juristët për të përcaktuar se cilit prej tyre do i japin të drejtë. E vetmja mënyrë për t’i ndarë gjërat është mënyra juridike përmes gjykatës. Të gjithë e dinë që SHBA mbështesin Lulzim Bashën.
Mund të ndodhë një skenar që PD të ndahet në dy pjesë dhe më vonë të krijohet një ribashkim i të dyjave duke mbajtur pavarësinë secili grupim. PD kështu si është nuk është në gjendje të fitojë zgjedhjet. Edhe nëse Basha dhe Berisha do ishin bashkë ashtu si në zgjedhjet e shkuara”, tha Hasimja.
Ai u shpreh se PD ka gjasa të dalë sërish e humbur nga zgjedhjet e ardhshme pasi nuk është e mobilizuar dhe nuk ka një projekt. Hasimja u ndal edhe te qëndrimi i Ramës në lidhje me zhvillimet në kampin e demokratëve.
“PD po ndahet përgjysmë. Kemi dy forca politike të djathta që për interesat e veta mund të bashkohen dhe të ndezin frymëzimin e njerëzve. Por nuk mjafton thjesht të bashkohesh me firma por duhet të tregosh që ke një projekt.
PD sot nuk e ka as e ndarë në dy pjesë dhe as e gjitha bashkë. Që partia të fitojë duhet të mobilizojë shumicën. PD ka një dizavantazh të madh që opinion publik është i majtë. Në një fushatë elektorale kur partitë janë të barabarta PD e nis me dizavantazh. PD duhet të bëjë kërcime të jashtëzakonshme që të fitojë. Në këtë moment nuk është në atë pikë.
Fatkeqësisht edhe te baza e djathtë ka një problem të madh. PD ka marrë historikisht vota më shumë në zonat e varfra. Nuk ka lidhje me veriun dhe jugun. Rama është me kokoshka dhe po sheh shfaqjen. Ai reagon sepse argëtohet. Në momentin kur del pak jashtë vëmendjes do përpiqet të kthehet. Është lloji i politikanit që kërkon vëmendje”, u shpreh ai. m.v/abcnews.al