Politikat kufitare vdekjeprurëse të Evropës

schedule09:41 - 28 Tetor, 2021

schedule 09:41 - 28 Tetor, 2021

Nga Judith Sunderland “Eu Observer

Një numër i jashtëzakonshëm njerëzish po vdesin në kufijtë e Evropës. Gati të gjithë janë me lëkurë ngjyrëkafe ose të zezë. Shumica mbyten ose zhduken në det. Të tjerë mbyten në kamionë, përplasen nga makinat apo vdesin nga hipotermia.

Për shumë njerëz shkaku i vdekjes është i panjohur, ashtu siç edhe identiteti i tyre. Ata prehen në varre pa emër, gjithnjë nëse arrihet të gjenden trupat e tyre. Projekti i Organizatës Ndërkombëtare për Emigrantët e Zhdukur vlerëson se të paktën 22.748 njerëz kanë vdekur në rajonin e Mesdheut që prej vitit 2014, mes tyre të paktën 848 ishin fëmijë.

Këtë vit, të paktën 1.465 njerëz kanë vdekur ose janë raportuar si të zhdukur në Detin Mesdhe. Ndërkohë 785 të tjerë kanë vdekur në ujërat e Oqeanit Atlantik, ndërsa Të tjerë vazhdojnë përpjekjet e dëshpëruara duke dashur të zbarkojnë në ishujt Kanarie në Spanjë nga brigjet e Afrikës Perëndimore.

Por njerëzit vdesin edhe në kufijtë tokësorë. Autoritetet polake regjistruan më 20 tetor vdekjen e tetë në kufirin e tyre me Bjellorusinë. Por numri real i viktimave mund të jetë shumë më i lartë. “Global Compact on Migration”, një deklaratë kjo jo-detyruese e parimevetë miratuara nga shumica e vendeve të botës në vitin 2018, i angazhon qeveritë “të shpëtojnë jetën e njerëzve dhe të parandalojnë vdekjen e emigrantëve” nëpërmjet operacioneve të kërkim-shpëtimit, duke rishqyrtuar njëkohësisht politikat dhe ligjet që mund të “krijojnë rrezikun e zhdukjes apo vdekjes së njerëzve”.

Për turpin e Evropës, 5 nga 29 vendet që nuk e miratuan këtë deklaratë janë pjesë e Bashkimin Evropian. Dhe sot, vendet evropiane dhe institucionet e BE-së po zbatojnë apo propozojnë politika që rrezikojnë jetën e njerëzve.

Institucionet dhe shtetet anëtarë të BE-së, kanë hequr dorë jo vetëm nga përgjegjësitë e tyre për operacionet e kërkim-shpëtimit në Detin Mesdhe, por politikat e tyre po rrisin rrezikun për emigrantët, përfshirë vdekjet në det.

Në muajin korrik Italia shtoi fondet për Rojet Bregdetare Libiane, ndërsa Komisioni Evropian planifikon që t’i dorëzojë 3 anije të reja rojes bregdetare libiane për të rritur kapacitetin e saj të patrullimit. Autoritetet libiane, kanë kapur më shumë se 26.300 njerëz dhe i kanë rikthyer me forcë në Libi.

Ndërkohë ka prova se Frontex, agjencia kufitare e BE-së, i ka mundësuar drejtpërdrejt dhe tërthorazi këto ndalime. Ne ndoshta nuk do ta mësojmë kurrë se sa njerëz kanë vdekur për shkak të manovrave të pamatura të Rojes Bregdetare Libiane në det, por edhe për shkak të ndalimit të emigrantëve në kushte të tmerrshme të rrezikuar nga dhuna seksuale, torturat, puna e detyruar, zhvatja dhe vdekja.

Më 8 tetor, rojet bregdetare hapën zjarr ndaj njerëzve që protestonin dhe që përpiqeshin të arratiseshin nga një qendër paraburgimi në Tripoli, duke vrarë 6 prej tyre dhe duke plagosur të paktën 24 të tjerë, në episodin e fundit të forcës dhe dhunës së tepruar që është ushtruar, të cilin një zyrtar i OKB-së e quajti “fenomen të rregullt” në qendrat e paraburgimit në Libi.

Propozimet e tmerrshme të Britanisë së Madhe

Ndërkohë, qeveria britanike ka në plan rishikimin e ligjit të emigracionit që midis propozimeve të tjera të tmerrshme, do t’i lejojë rojet kufitare të dëbojnë drejt Francës anijet që transportojnë emigrantë dhe refugjatë, dhe do t’i përjashtonte rojet kufitare nga ndjekja penale në rast se vdes ndonjë nga emigrantët.

Kohët e fundit, 12 vende të BE-së i kërkuan Komisionit Evropian të financojë ndërtimin e gardheve me tela me gjemba dhe mureve të lartë në kufijtë e jashtëm të bllokut, pasi sipas tyre një “pengesë fizike…duket të jetë një masë efektive e mbrojtjes së kufirit”.

Por provat se barrierat kufitare e parandalojnë hyrjen e parregullt të emigrantëve për një afat të gjatë, janë më së paku të përziera. E qartë është se muret dhe gardhet i devijojnë njerëzit drejt rrugëve më të rrezikshme, por ato mund të ndikojnë direkt në humbjet e jetëve apo të gjymtyrëve të ndryshme të trupit.

Letra e 12 vendeve anëtarë përmban një insinuatë të fshehtë për “ligjërimin” e kundërpërgjigjeve, në një kohë kur vendet e BE-së janë të zëna me zbutjen e një propozimi tashmë modest për të ngritur mekanizma të pavarur monitorimi për të parandaluar dhunën në pikat kufitare.

Kjo shpërfillje ndaj jetës së qenieve njerëzore, është krejtësisht e kundërta e asaj që aspirojmë të jemi. Vendet evropiane duhet së paku të ndalojnë dëbimet e dhunshme, dhe të sigurojnë një kapacitet të fuqishëm kërkimi dhe shpëtimi në kufijtë e tyre detarë dhe tokësorë, si dhe të pushojnë së mundësuari praktika të rrezikshme të ndalimit nga forcat libiane dhe të tjerat.

Po ashtu vendet evropiane duhet të kërkojnë llogari nga përgjegjësit për abuzimet në kufijtë evropianë, dhe për humbjet e parandalueshme të jetëve njerëzore. Më shumë mundësi për migrimin legal – për qëllime humanitare, punë, studime, artistike – dhe më pak ndëshkime për azilkërkuesit, mund të ndihmojnë në shmangien e udhëtimeve ilegale dhe të rrezikshme.

Në fund të fundit, vendet evropiane duhet të marrin parasysh përgjegjësitë e tyre për vdekjen e kaq shumë njerëzve nga Afrika, Lindja e Mesme dhe Azia në kufijtë e tyre. Kur BE-ja miratoi planin e saj të parë të veprimit kundër racizmit vitin e kaluar, u zotua që ta adresojë problemin e racizmit strukturor, dhe të përfshijë një qasje ndër-sektoriale për të luftuar diskriminimin në politikë-bërje.

Në rast se vendet e BE-së duan të jenë seriozë në këtë përpjekje, ato duhet të reflektojnë mbi trashëgiminë e kolonizimit dhe pabarazive të qëndrueshme, të cilat qëndrojnë në themel të vendimeve dhe rreziqeve të migracionit. Ato duhet ta shohin me kriticizëm ndikimin negativ të BE-së në kufijtë e tyre të jashtëm dhe në marrëdhëniet e tyre me vendet e tjera, në trupat dhe jetën e grave, burrave dhe fëmijëve me ngjyrë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Judith Sunderland, është drejtoreshë e asociuar për Evropën në organizatën“Human Rights Watch”.