Politikani serb i Kosovës: S’do të ketë marrëveshje të mirë nëse nuk ulemi bashkë në tryezë, pa SHBA dhe BE

schedule16:37 - 22 Shkurt, 2023

schedule 16:37 - 22 Shkurt, 2023

Politikani serb i Kosovës dhe ish kryetari i komunës Leposaviq, Aleksander Jabllanoviç dha një intervistë për “Ballkan Update” me gazetaren Linda Karadaku, ku foli për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe propozimit franko-gjerman. Sipas tij, marrëveshja nuk do të jetë e mirë për serbët dhe shqiptarët për sa kohë nuk diskutojnë direkt me njëri-tjetrin por duhet ndërhyrja e aleatëve perëndimorë.

Jabllanoviç shtoi se duhet të gjendet një zgjidhje mes dy vendeve për të pasur një të ardhme më të mirë dhe pa konflikte, duke u ulur në tryezë pa prezencën e vendeve perëndimore. “Nuk mund të diskutojmë përmes aleatëve sepse nëse diskutojmë përmes aleatëve, siç është tani, do të kemi një situatë që në nivelin e parë do të kemi opinionin e disa aleatëve, jo çfarë duam të shohim në terren.”

Pjesë nga intervista për “Ballkan Update”:

Aleksander Jabllanoviç: Ajo që po ndodh në dy javët e fundit, mund të themi në dy muajt e fundit në Kosovë, lidhur me propozimin e ri nga BE-ja, është çështje sesi njerëzit hapur i quajnë ato në media propozimi i ri franko-gjerman për Kosovën, është diçka për të cilën njerëzit në terren nuk e dinë ekzaktësisht se çfarë thuhet ekzaktësisht në atë propozim.Ne kemi pak informacion nga qeveria në Prishtinë, nga zoti Kurti dhe pak informacion gjithashtu nga Beogradi zyrtar, por në fakt, aktualisht, askush nuk e di se çfarë thuhet në atë marrëveshje. Gjithkush që është i përfshirë në politikë është pak i frikësuar, se ky propozim i fundit, ne e quajmë, franko-gjerman, është një propozim i ri sepse është e dukshme që marrëveshja midis Prishtinës dhe Beogradit nga Brukseli, nuk është e mundur të përdoret në terren.

Pse? Sepse pala serbe nuk do të pranojë disa gjëra që janë nënshkruar në Bruksel. Nga ana tjetër, ju keni qeverinë në Prishtinë, zotin kryeministër Kurti, që mohoi pranimin e asosiacionit të komunitetit serb, që është për ne serbët, pjesa qendrore e asaj marrëveshjeje. Nuk e di çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Por ajo që është absolutisht e sigurtë është një realitet i ri që vendet perëndimore po bëjnë tani një presion të madh ndaj Prishtinës dhe Beogradit për një arsye, që marrëveshja midis Beogradit dhe Prishtinës duhet të bëhet shumë shpejt, dhe jam pak i frikësuar se marrëveshja midis Beogradit dhe Prishtinës, nuk do të jetë e mirë në perspektivë për serbët dhe shqiptarët, sepse aktualisht, serbët dhe shqiptarët nuk diskutojnë direkt me njëri-tjetrin.

Diskutojnë në BE, në SHBA. Besoj se çdo marrëveshje midis serbëve dhe shqiptarëve, mund ta quajmë marrëveshja e Brukselit apo dokumenti franko-gjerman, nuk ka rëndësi emri, besoj se të dyja nuk ishin marrëveshje e vërtetë midis serbëve dhe shqiptarëve, vetëm sepse një palë tjetër na shtyn të ulemi në një tryezë dhe të diskutojmë diçka që është e ardhmja jonë. Besoj se situata pas luftës ka ndryshuar në shumë perspektiva për mirë, por ende nuk shoh vullnetin e vërtetë nga të dyja palët që të ulen dhe të bëjnë marrëveshjen përfundimtare për më të mirën për serbët dhe shqiptarët. Kjo marrëveshje që dikush do që të bëjë mes nesh duke përdorur presionin absolutisht, duke përdorur presionin mbi Prishtinën dhe Beogradin, nuk mund të jetë një marrëveshje që mund të përdoret nga ne le të themi në një, dy apo tre dekadat e ardhshme.

Nëse ne e dimë se cila është e ardhmja jonë, dhe e ardhmja jonë është në jetën tonë të përbashkët, midis serbëve dhe shqiptarëve, kjo marrëveshje nga Brukseli dhe ky propozim franko-gjerman, nuk besoj se po japin diçka të re apo të mirë për shqiptarët dhe për serbët, dhe në mes të problemeve midis serbëve dhe shqiptarëve në Ballkan, veçanërisht në Kosovë, ne gjithmonë harrojmë disa qytetarë të tjerë. Kemi kombe të tjera, grupe të tjera etnike, dhe ajo që është më e ndjeshmja është realiteti i ri në botë. Nëse e patë se çfarë ndodhi para pak ditësh në Kosovë, në 15 vjetorin në ceremoninë e kremtimit të pavarësisë, është shumë e dukshme që shqiptarët nuk mbështesin në terren disa aleatë siç bënin para 10 apo 5 vjetësh.

Tani në çdo qoshe për 15 vjetorin e ditës së pavarësisë së Kosovës, mund të shohësh vetëm flamujtë e Kosovës, Shqipërisë dhe SHBA-së. Më parë situata ishte e ndryshme. Mund të shihje flamuj gjermanë, francezë, britanikë, por tani gjërat po ndryshojnë pak në komunitetin shqiptar, në komunitetin serb në Kosovë, dhe jam krejt i sigurtë që ne nuk besojmë në propozimin e mirë nga Perëndimi në këtë moment, dhe arsyeja është shumë e thjeshtë, sepse ne serbët, duam ta shohim dhe pranojmë Kosovën vetëm si pjesë e Serbisë. Ne e themi këtë në kushtetutën tonë, në deklaratat tona, ne besojmë në këtë. Në anën tjetër keni shqiptarët që besojnë në një histori krejt tjetër.

Ata besojnë se Kosova është përfundimisht e pavarur, dhe kanë mbështetjen e plotë të aleatëve. Besoj se e vërteta është diku në mes se Kosova nuk është një zonë e veçantë e rezervuar vetëm për serbët, apo vetëm për shqiptarët, dhe nëse nuk gjejmë një zgjidhje sesi mund të jetojmë bashkë në të ardhmen, të kemi një të ardhme të mirë, të mos kemi konflikte, ta them hapur, të mos kemi luftë, duhet të ulemi se bashku, pa miq nga SHBA, nga Moska, nga Brukseli, duhet të diskutojmë direkt, sepse ende besoj vërtetë se 90 për qind e problemeve që kemi në Kosovë, si shqiptarë, serbë, boshnjakë, si grupe të tjera etnike, janë të njëjtat. Në 90 për qind të rasteve, kemi të njëjtin problem dhe nuk mund ta zgjidhim atë problem nëse nuk diskutojmë drejtpërdrejt me njëri-tjetrin. Nuk mund të diskutojmë përmes aleatëve sepse nëse diskutojmë përmes aleatëve, siç është tani, do të kemi një situatë që në nivelin e parë do të kemi opinionin e disa aleatëve, jo çfarë duam të shohim në terren./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!