Politikanëve dhe biznesmenëve do t’ju publikohen paratë e fshehura jashtë

schedule16:57 - 19 Dhjetor, 2019

schedule 16:57 - 19 Dhjetor, 2019

Nisur nga 1 janari Drejtoria e Tatimeve do të nisë shkëmbimin e informacioneve me disa shtete të tjera sa i përket parave të pista, që mund të kenë individë shqiptarë jashtë vendit. Ekspertët e ekonomisë, Selami Xhepa dhe Zef Preçi tregojnë në “ABC News”, se cilët mund të jenë këta individë dhe pritshmëritë që ata kanë nga forcimi i mekanizimit të kontrollit për lëvizjen e parave.

Politikanëve, biznesmenëve por dhe njerëzve të botës së krimit do u bëhen publike të gjithë llogarite bankare, edhe ato të fshehura në kompani off shore. Në funksion të kësaj do të hartohet një ligj dhe në datën 1 qershor të vitit të ardhshëm drejtoria e përgjithshme e tatimeve do të ketë në dispozicion listën e të gjithë shtetasve shqiptarë që kanë para të mbyllura jashtë shtetit, përfshirë ato të fshehura në parajsat më të mëdha fiskale të botës. Ekspertët e ekonomisë, Selami Xhepa dhe Zef Preçi identifikojnë këto sektorë të cilët mund të kenë fshehur para.

Kompanitë që kanë marrë shërbime me koncesion jo pak herë janë përmendur si jo transparente. Për ekspertët e ekonomisë mund të kenë vend për gjurmim të fondeve.

Kryesisht individë që kanë kapur sistemin. Bëhet fjalë për një grup të kufizuar që kanë pasur lidhje politike ose trafikantë.

Ekonomisti Selami Xhepa pritet ti besojë një mekanizmi shtesë sa i përket kontrollit të lëvizjes së parave.

Ndryshe nga Xhepa, Zef Preçi nuk shprehet optimist në pritshmëri.

“Nuk jam optimist se do të ketë ndonjë ndryshim sepse ekonomia jonë më shumë se 40 % është informale”, tha Preçi.

“Në këtë proces përfshihen edhe kontratat koncesionare. Do duhej që qeveria shqiptare të ndalojë transferimin e të tretëve për sa kohë që nuk ka përfunduar afati i kontratës”, u shpreh Preçi.

Drafti do të vijë si detyrim e një marrëveshjeje të iniciuar nga OECD si mekanizëm për të luftuar evazionin në shkallë globale. Mes vendeve që do të kenë detyrimin për të dërguar listën janë ishujt Kayman, Qipro, Panama, Zvicra, dhe të gjitha parajsat më të mëdha fiskale të botës./abcnews.al