Mbi 1500 efektivë do të aktivizohen gjatë ditës së shtunë në protestën e opozitës, ku do të rrethojnë Kryeministrinë dhe Ministrinë e Brendshme. Do të jenë Forcat RENEA, FNSH, Forcat e Lëvizjes Operacione dhe agjentë të SHISH, që do të vendosen pranë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’, ku do të mbahet protesta. Kronika sjell detaje për këto masa.
Nga premtja Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri për shkak të prototestës së opozitës. Mbi 1500 efektivë, të rendit, forcat “Shqiponja”, “FLO”, “ FNSH” dhe ato të RENEA-s do të agazhohen për ruajtjen e rendit para, gjatë dhe në mbyllje të protestës.
Prioritet i është kushtuar ruajtjes së institucioneve të rëndësisë së veçantë, të cilat do të jenë nën monitorim të rreptë nga Garda e Republikes. Edhe policia Rrugore e Tiranës është përfshirë në planin e masave, ku do të ketë devijim të trafikut në akset që lidhen me bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe qendër.
Rrugët që do të bllokohen
- Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i rrugës “ Myslym Shyri” deri tek sheshi “Nënë Tereza”.
- Bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i rrugës “Sami Frashëri” deri tek rruga e “Elbasanit”.
Autobusët që do të sjellin protestuesit nga rrethet nuk do të lejohen të hynë në kryeqytet. Ata që vijnë nga ana veriore do të stacionohen pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi”, ndërsa ata që udhëtojnë nga ana jugore do të ndalojnë tek Fakulteti Ekonomik. Për transportin e protestuesve nga jugu, ndalesa do të kryehet pranë sheshit “Shqiponja”.
Ndërkohë, opozita ka përcaktuar vetëm orën e nisjes së protestës të 26 Majit në kërkesën e depozituar në policinë e Tiranës, ndërsa nuk ka të specifikuar afatin përmbyllës të saj.
Për këtë arsye, policia e rendit do të kalojë në shërbim të përforcuar dhe me orar të zgjatur, duke filluar nga e premtja e deri në përmbyllje të protestës. Të infiltuar brenda mitungut do të ketë oficerë civilë, agjentë të SHISH, si edhe efektivitë të forcave antiterror./abcnews.al