Në inagurimin e ambjenteve të Komisariatit Nr.6 në Tiranë, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj tha se prezencën e policisë e kërkuan vetë fakultetet për shkak të kaosit të shkaktuar, nga një grup i vogël studentësh. Nga ana tjetër Lleshaj i bëri thirrje drejtuesve të universiteteve të ruajnë universitete të lira nga çdo formë bllokimi.
“Ka pasur një kërkesë nga drejtuesit e universiteteve për ndihmë në mënyrë që të liroheshin ato mjedise që ishin të zëna me barrikada të improvizuara nga një grup i vogël personash. Kryesisht inspektimet janë bërë nga policia private e universiteteve. Policia ka mbështetur nga larg këtë veprimtari. Dua të them që garancia që u jepet universiteteve dhe paprekshmëria e mjediseve universitare do të thotë paprekshmëri nga çdo formë e dhunës apo e pasigurisë. Është detyrë e drejtuesëve të universiteteve që universitet të mbeten zona të lira në çdo pikëpamje”./abcnews.al/