Policia kontrolle në akset nacionale, arrestohen 9 shoferë dhe gjobiten 113 të tjerë

schedule16:38 - 5 Korrik, 2021

schedule 16:38 - 5 Korrik, 2021

Policia ka vijuar kontrollet në  akset rrugore nacionale dhe në qendrat urbane, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Siç njoftohet, nga denoncimet e bëra  në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë ndëshkuar me masë administrative, për parakalime të gabuara dhe manovra të rrezikshme në rrugë, 113 drejtues mjetesh, të cilët nuk kanë qëndruar në radhë për shkak të fluksit të madh të automjeteve që ktheheshin nga zonat bregdetare, kryesisht gjatë orëve të pasdites së datës 04.07.2021.

Po gjatë 24 orëve të fundit, nga kontrollet e kryera nga Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, në akset rrugore nacionale dhe në qendrat urbane, si rezultat i përdorimit të radarëve, dragerave dhe kamerave janë arrestuar në flagrancë 9 drejtues mjetesh, nga të cilët 5 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 4 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Janë pezulluar gjithsej 41 leje drejtimi, nga të cilat 29 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 12 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Me masë administrative janë ndëshkuar edhe 2456 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në aksidente, konkretisht për parakalime të gabuara, shpejtësi mbi normat e lejuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosrespektim të semaforit, mospërdorim të kaskës mbrojtëse, mosvendosje të rripit të sigurimit, si dhe për mosrregullim shpejtësie dhe manovra të rrezikshme në rrugë. s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!