Policia italiane godet bandën mafioze, të përfshirë dhe shqiptarë

schedule16:30 - 16 Shkurt, 2018

schedule 16:30 - 16 Shkurt, 2018

Policia italiane ka sekuestruar pasuri me vlerë deri në 23 milionë euro një bande mafioze në Romë, në të cilën bënin pjesë dhe 3 shqiptarë.

Policia italiane ka goditur një organizatë të gjerë mafioze, që operonte kryesisht në Romë dhe në të cilën ishin përfshirë edhe 3 shtetas Shqiptarë . Ata janë identifikuar si Arben Zogu, Orial Kolaj dhe Petrit Bardhi. Autoritetet kanë sekuestruar pasuri me vlerë që arrin deri në 23 milionë euro, kundër 9 personave që i përkasin klanit “Casalesi”; grupit “Iovine” dhe grupit të pavarur “Guarnera”.

Hetimet kundër këtij grupi kishin nisur në 2013, kohë në të cilën u bë e mundur dhe arrestimi i 16 personave, mes të cilëve dhe 3 shqiptarët, në operacionin e koduar “Criminal Games”. Ata akuzohen për lidhje me shoqata mafioze, mashtrim në transferimin e aseteve, zhvatje, plaçkitje, konkurrencë të paligjshme me kërcënime dhe dhunë dhe posedim ilegal të armëve. Emërtimi i operacioni “Criminal Games” erdhi pasi banda mafioze operonte kryesisht në fushën e lojërave të fatit.

Sipas mediave italiane, që citojnë policinë, me kërcënim dhe dhunë ata merrnin territore të qendrave të lojërave të fatit dhe të pikave të basteve. Për të kryer mënyrat e presionit të dhunshëm, banda mafioze ishte mbështetur tek 3 shqiptarët, të cilët emërtoheshin si “boksierët”, pasi kapoja i tyre, Orial Kolaj, është shpallur kampion boksi në Itali dhe Europë në peshën mesatare.
Ndërkohë, njëri nga shqiptarët, Arben Zogu, ishte përfshirë edhe në trafik ndëkrombëtar droge. Ai njihej me nofkën “Rikardinjo”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!