Vrasja e 18 vjeçarit shqiptar Mario Isa në Kavala, ka ndodhur si pasojë e një aksidenti fatal. Lajmi është konfirmuar nga policia greke e cila pas marrjes në pyetje të shokut të viktimës i cili ndodhej me të në momentin tragjik, bëri të ditur se arma është shkrepur papritur kur dy të rinjtë po e shihnin.
Policia greke në Kavala në bashkëpunim dhe me ekspertë që shkuan në qytetin verior nga Selaniku, ka dalë në përfundimin se vrasja e 18 vjeçarit shqiptar Mario Isa, ishte aksidentale. Policia konfirmoi se ky variant u zyrtarizua pas pas marrjes në pyetje të personit që ndodhej në momentin tragjik bashkë me Marion, një 18 vjeçar gjithashtu shqiptar, shok fëmijërie i viktimës.
Fillimisht u tha se se midis tyre ka pasur një zënkë, për shkaqe që nuk diheshin. U tha gjithashtu se i dyshuari për vrasjen, u shpreh se donte vetëm ta frikësonte, por pistoleta që mbante në dorë u shkrep aksidentalisht, duke e qëlluar për vdekjen Marion. Ndërkaq, të dhëna të reja nga policia, bëjjnë të ditur se dy të rinjtë po shihnin armën për kuriozitet, në momentin që është shkrepur.
Sipas të përditshmes së Kavalës “Proini”, policia greke përgënjeshtroi me këmbëngulje, hipotezën se vrasja ndodhi për pazare droge. Gjithmonë sipas policisë, shuma prej 150 eurosh që iu gjet në xhep viktimës, ishte thjesht një rastësi.
Ndërkaq, arma e vrasjes nuk është gjetur ende. Policia bën të ditur se pistoleta kishte rënë në duart e të dyshuarit, nga një person tjetër i cili aktualisht ndodhet në paraburgim për vepra të tjera penale.
Të gjithë ata që njihnin Marion dhe familjen e tij kanë shprehur vetëm fjalë të mira. Ai kishte lindur në vitin 2000 dhe kishte ndjekur mësimet në gjimnazin e 2-të të Kavalas dhe pastaj Liceun Nr. 6. Babai i tij punon në ndërtim dhe të gjithë thonë se ishte një familje model dhe tërësisht e integruar. /abcnews.al