Policia greke detaje për kokainën e Durrësit: Si ramë në gjurmë të ngarkesës

schedule18:32 - 9 Tetor, 2019

schedule 18:32 - 9 Tetor, 2019

Autoritetet greke kanë dhënë detaje për zbulimin dhe sekuestrimin e rreth 700 kilogramëve kokainë, mes të cilëve edhe 137 kilogramë që u kapën në fund të Shtatorit në portin e Durrësit. Gjatë një konference për shtyp, të mërkurën pasdite, përfaqësues të policisë dhe të doganës kanë thënë se pastërtia e kokainës së dërguar nga Ekuadori ishte 85%.

Rrjedhimisht, ata kanë përllogaritur se vlera e drogës së sekuestruar i kalon 10 milionë eurot. Ata kanë zbuluar se ranë në gjurmë të ngarkesës, pas një sinjalizimi nga një shërbim i huaj doganor.
Menjëherë kontaktuan me zyrën e DEA-s në Athinë, si dhe me policinë shqiptare.

Droga e fshehur në konteinerët me banane është zbuluar në Selanik dhe në Pire, gjatë disa datave, që nga fillimi i Gushtit, duke përdorur ekzamiminin me rreze X-Ray. Në disa raste droga ishte fshehur brenda mureve të konteinerëve, e në disa raste të tjera në motorët e frigoriferëve.

Në vendet ku ishte fshehur kokaina, kishte edhe aparate GPS, me qëllim që dërguesit të dinin në çdo moment vendndodhjen dhe të njoftonin pritësit e ngarkesës.

Autoritetet greke e kanë cilësuar gjithë operacionin si një sukses të jashtëzakonshëm dhe kanë bërë të ditur se në pesë porte të vendit kanë instaluar aparate X-Ray, me qëllim që siç thanë t’u heqin çdo shans rrjeteve të krimit të organizuar që të përdorin portet greke për veprimtaritë e tyre të paligjshme./abcnews.al