Policia e Shtetit reagon për pretendimin e Alizotit: Fund e krye i pavërtetë

schedule10:48 - 10 Tetor, 2018

schedule 10:48 - 10 Tetor, 2018

Policia e Shtetit i konsideron fund e krye të pavërteta pretendimet e Fredi Alizotit, se kreu Policisë së Shtetit e ka marrë me makinë, ka tentuar ta ndikojë në deklarime dhe e ka shoqëruar në prokurori.

“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk ka qenë për asnjë rast, në asnjë rrethanë dhe në asnjë cilësi shoqërues, kontaktues apo në çdo formë tjetër i shtetasit Alfred Alizoti”, thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit.

Në sqarim thuhet se drejtori Ardi Veliu ka patur angazhime të tjera, lehtësisht të verifikueshme, ditën kur shtetasi Alizoti pretendon se është shoqëruar tek Krimet e Rënda.

Drejtori i Policisë së Shtetit në asnjë rast nuk është përfshirë në veprime procedurale në lidhje me hetimin e çështjes të ashtu-njohur publikisht si çështja “Babale”, thuhet në njoftim ku theksohet se edhe nëse kjo mund të kishte ndodhur, ajo nuk do të përbënte asnjë shkelje ligjore për sa kohe do të ishte në zbatim të urdhërimeve të prokurorisë, ose gjykatës.

Duke deklaruar se policia në cdo veprim ka zbatuar vec urdhërat e prokurorisë, njoftimi i policisë mbyllet me gatishmërinë për hetim: “Jemi të hapur që prokuroria ta hetojë edhe këtë aspekt në detaje në kuadrin e procesit hetimor që ajo po kryen për këtë çështje”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!