Policia e Kosovës vë nën kontroll manastirin e Bansjkas

schedule08:52 - 25 Shtator, 2023

schedule 08:52 - 25 Shtator, 2023

Policia e Kosovës bëri të ditur se janë vrarë tre sulmues dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar nga grupi prej rreth 30 personave të armatosur, që në orët e hershme të së dielës sulmuan patrullën në veri të vendit, ku mbeti i vrarë një polic dhe një tjetër u plagos.

Përleshja e armatosur ndodhi në fshatin Bansjka të komunës së Leposaviqit, ku grupi i armatosur u barrikadua brenda një manastiri të fshatit, i cili më vonë gjatë ditës u vu nën kontrollin e policisë. Ministri i Brendshëm, Xhelal Svecla tha se policia pasi mori nën kontroll zonën ku ndodheshin terroristët, zbuloi një sasi të jashtëzakonshme armatimesh të rënda.

Vrasja e policit të Kosovës nga një grup i armatosur në veri, e dënua në shkallë të gjerë. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ndërpreu të gjitha takimet në Nju Jork dhe u nis për në Kosovë. Edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier dënoi ashpër sulmet e orkestruara ndaj policisë së Kosovës.

“Ne po e vëzhgojmë situatën nga afër dhe i dënojmë këto akte të dhunshme ndaj autoriteteve legjitime të Republikës së Kosovës. Autorët duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi dhe do të dalin para drejtësisë. Ata duhet të ndërpresin menjëherë sulmet e tyre”, thuhet në deklaratën e SHBA-së.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, tha se “tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është këmbana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!